Historia e qyteteve shqiptare, origjina e emrave

Prejardhja e përkatësisë së zonave urbane të Shqipërisë është e larmishme. Ajo kalon përmes një përshkimi historik që nga kohët e hershme, deri tek të vonat, tek qytezat industriale.

Emri dhe origjina e këtyre qyteteve është një lëm i pasur me trajtesa dhe përkatësi toponimesh, disa prej të cilave të huazuara nga ndikimet e huaja, të përftuara nga rrethana historike dhe gjeografike.

TIRANE

Origjina e emrit: (Katër variantet) “Tiranë” mendohet se vjen nga fjala “Theranda”, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin Te Ranat, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujrat nga malet përreth.

“Tirana” vjen nga “Tirkan”. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpat të Malit të Dajtit. Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë që daton në fillimin e shekullit i para Krishtit. Kjo mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop, (shek.VI), e quan Kështjella e Tirkanit.

“Tirana” vjen nga greqishtja e vjetër, “Tyros” që do të thotë bulmet. Mendohet se ky variant ka mbetur ngaqë në fushën e Tiranës bëhej tregtimi i bulmetrave nga barinjtë e zonave përreth.

Tiranë vjen nga Teheran, kryeqytet i Iranit, në kujtim të një fitoreje të korrur nga Sulejman Pasha, (themeluesi i qytetit) në krye të ushtrisë turke gjatë fushatës në Persi.

Me siguri dihet që për herë të parë emri i Tiranës përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut.

Themeluar: 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini.

Gjurmët më të vjetra: Tirana u themelua si qytet më 1614, por toka mbi të cilën u ndërtua ka gjurmë më të hershme banimi. Nga faktet e gjetura në rrënojat e një kështjelle ka mundësi të bëhet fjalë mbi një kështjellë të cilën Prokopi von Caesarea në shekullin e gjashtë e ka quajtur “Tirkan”.

Shpallet kryeqytet: 20 shkurt 1920

Objektet kryesore: Të gjitha institucionet shtetërore më të rëndësishme të shtetit, kështjella e Petrelës, Kalaja e Pezës, Xhamia e Ethem Beut në qendër të Tiranës, Muzeu Kombëtar, Muzeu Arkeologjik, Galeria e Arteve.

DURRES

Origjina e emrit: Durrahium

Emra të mëparshëm: Epidamus

Themeluar: Në vitin 627 para Lindjes së Krishtit.

Pushtuar: në 314 B.C. nga Aleksandri i Maqedonisë dhe në vitin 229 B.C. ai u pushtua nga romakët, më pas nga otomanët, serbët dhe italianët.

Objekte kryesore: Amfiteatri, Forumi bizantin, Muzeu Arkeologjik ku janë të paraqitura periudhat greke dhe romake, Torra Veneciane, Xhamia e Fatihut, Monumenti i Rezistencës, Muzeu Etnografik etj.

Karakteristika:

-Durrësi mund të krahasohet me qytetet më të mëdha të Mesdheut të lashtë dhe mesjetar. Qyteti Dyrrah u ndërtua nga ilirët taulantë, dallëndyshasit në shekujt XIII-XI p.K. Banorët e parë të Dyrrahut, para ilirëve të quajtur protoilir, pellazgë, ngritën në rrethinat e këtij qyteti, vendbanimet e para parahistorike.

Në afërsi të Shkëmbit të Kavajës është zhvilluar beteja e famshme mes Çezarit dhe Pompeut

Në vitin 1200, pas një cunami, qyteti nuk është banuar për 6 vjet

Ka qenë kryeqytet:

Ka portin më të madh në Shqipëri

LEZHE

Origjina e emrit: Lisus

Themeluar: 669 para Lindjes së Krishtit

1300: Ndërtohet kalaja e qytetit

Deri në vitin 1398 qyteti ishte në dorë të familjes feudale të Dukagjinasve, të cilët më pas ia lëshuan Venedikut

Ngjarje kombëtare: 2 Mars 1444, u mblodh “Kuvendi i Lezhës” nën drejtimin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kuvendi formoi një lidhje politike-ushtarake të princërve shqiptar duke formuar një ushtri shqiptare prej 10 mijë trupash kundër rrezikut osman.

KORÇË

Origjina e emrit: Gjoriçë, Goriçë. (Por edhe sot asnjë studiues nuk ka një ide të qartë se nga vjen emri i qytetit të Korçës).

Gjurmët e vjetra: Zona e Korçës e ndodhur në kufi me Mbretërinë Ilire dhe Epirin është banuar që nga mijëvjeçari i katërt p.e.s

Themelimi: Qyteti modern i Korçës u formua në shekullin XV kur Iljaz Bej Mirahorie zhvilloi Korçën sipas urdhrit të Sulltan Mehmeti II. Nën pushtimin osman Korça me emrin “Göricë” ishte sanxhak i vilajetit të Manastirit.

Data me rëndësi kombëtare: Është hapur shkolla e parë shqipe në këtë qytet që daton në vitin 1887, shkolla e parë në Shqipëri për vajza, si dhe liceu Francez i ndërtuar në vitin 1917.

VLORË

Origjina e emrit: Aulona

Gjurmët më të hershme: Shekulli i 6-të para lindjes së Krishtit. Duke qenë një nyje e rrugëve tokësore e detare, i njohur për verën, ullinjtë e kripën, u bë porti kryesor i Ilirisë pas rënies së Apolonisë e Orikumit.

Data me rëndësi kombëtare: Më 28 Nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Lufta e Vlorës, 1920.

Pushtuar: Nga normanët më 1081, 1205 nga Venediku, më pas nën sundimin e Hohënshtaufëve gjermanë dhe më 1272 në mbretërinë e Arbërisë. U pushtua nga osmanët më 1417, italianët, gjermanët.

Objektet kryesore: Kalaja, porti, etj.

Aktualisht ka: 124 mijë banorë.

ELBASAN

Origjina e emrit: Në shekullin e 2-të para Krishtit njihej me emrin Skampa dhe më vonë Skampini. Elbasani u themelua nga Sulltan Mehmeti II në shekullin XV. Iu vu ky emër sepse ishte një ndër trevat e para të pushtuara nga osmanët, ELI-BASAM (vura dorë).

Themelimi: Nga osmanët në shekullin 15

Ndërtimi i kalasë së qytetit: më 1466 për 25 ditë dhe për të punuan 150 mijë njerëz.

Gjurmët më të hershme: Historia e trevave të Elbasanit e ka zanafillën e saj në shekullin II p.e.s. me vendbanimet e hershme ilire. Të dhënat arkeologjike besohet se emri i pare i Elbasanit ka qene mansius që do të thotë vend-qëndrim.

Data me rëndësi kombëtare: Më 2-9 shtator 1909 u thirr Kongresi i Elbasanit, ndër vendimet më kryesore të të cilit qe hapja e Shkollës Normale

Pushtuar: Romakët, turqit, italianët e gjermanët.

Objektet kryesore: Kalaja, banjat turke, stadiumin “Elbasan Arena”.

GJIROKASTËR

Origjina e emrit: Qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, Argyrókastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët. Për herë të parë emri i Gjirokastrës përmendet në shekullin XIII. Kështjella e Gjirokastrës mendohet të jete filluar nga prijësi shqiptar Gjin Bue Shpata, i cili i dha dhe emrin qytetit, Gjirokastër. Zgjerimet e kështjellës janë bërë nga Ali Pashë Tepelena, dhe nga qeveria e Zogut, e cila me pas e konvertoi pjesën veriore të kalasë në burg.

Objektet kryesore: Në Gjirokastër gjendet kalaja më e madhe e Shqipërisë. Aty mund të vizitoni Muzeun e Armëve, i cili gjendet brenda në kala, Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë ku ka lindur ish-diktatori komunist Enver Hoxha si dhe muzeun e ri në shtëpinë e shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

1963: Shpallet Qytet-Muze

2005: Shpallet Pasuri Botërore nga UNESCO.

BERAT

Origjina: Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit.

Themelimi: 313-310 Para Krishtit si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea

Emrat që ka përdorur: Antipatrea, Albanorum Oppidum, Pulheriopolis,

Gjurmët e para: 2600 para Krishtit

Pushtuar: grekët, maqedonasit, bullgarët, osmanët,

1961: Shpallet Qytet Muze

2008: Shpallet Pasuri Botërore nga UNESCO

Objektet kryesore: I gjithë qyteti, Kalaja, Ura e Goricës, etj

SHKODËR

“Një njeriu të zakonshëm, të ardhur nga qyteti ortodoks i Manastirit, Shkodra i duket fillimi i Europës” – Ismail Kadare.

Orgjinë e emrit: Skodrin, ose vendi ku shkon Drini, Skutari

Themelimi: Mes shekullit të 5-të dhe 6-të para Krishtit

Gjurmët e vjetra: Paleoliti (guri i vjetër), Neoliti.

Ka qenë kryeqytet i mbretërisë ilire në 181 Para Krishtit,

Pushtuar: Në vitin 168 nga Roma, sllavët, bullgarët, Venediku, turqit, serbët, malazezët, italianët, gjermanët.

Objektet kryesore: Kalaja e Rozafës, Muzeu Historik, Fototeka Marubi, etj.

KAMZA

Deri në vitin 1990: Një qendër e banuar e Ndërmarrjes Bujqësore të Tiranës

Pas vitit 1990: Popullohet me të ardhur nga qytete dhe fshatra të nryshëm.

Sot: Një nga bashkitë dhe qytetet me dendësinë më të madhe në vend.

Karakteristikë: Një zonë periferike e Tiranës që pret të sistemohet falë një plani urbanistik.

KONISPOL

Qytet i ndërtuar si fillim për të rinjtë aksionistë që hapën tarraca për agrume

Fillimet: Në vitet ‘70

Karakteristikë: Kultivimi i agrumeve dhe zonë plazhi

KSAMIL

U ngrit si qytezë bregdetare gjatë periudhës komuniste. Në nëntor 1966 Enver Hoxha porositi që në këtë vend të bukur dhe të virgjër të ngrihej një qendër e prodhimit të agrumeve dhe ullirit. Kështu “lindi” Ksamili, vetëm 5 km larg Butrintit, përballë ishujve piktoreskë, në gadishullin e Heksamilit, (gjashtë miljeve nga Butrinti). Peisazhit të bukur të detit dhe kodrave i shtohen dy ngjyrat jetësore, e kaltra dhe e blerta, që e hijeshojnë edhe më tepër gjirin e Ksamilit, i cili ndodhet pothuaj përballë ishullit më të madh të Jonit, Korfuzit.

KRASTA

Qytet i ri minatorësh në rrethin e Matit. Ka qenë pjesë e fshatit Gjon të Martaneshit. Ndërtimi filloi më 1970 me ngritjen e minierës së Kromit në Batër. Më 1974 u vendosën banorët e parë. Më 1979 u shpall qytet.

MALIQ

Themelimi: Pas Luftës së Dytë Botërore, pas tharjes së kënetës

Gjurmët e vjetra: Në Maliq janë zbuluar gjurmët më të vjetra në Shqipëri që i përkasin kohës së Neolitit

LESKOVIK

Administrimi: Ish-pjesë e rrethit të Kolonjës, sot në qarkun e Korçës.

Origjina e emrit: Nuk gjenden të dhëna.

Themelimi: Vend pushimi për bejlerë në kohën osmane

Gjurmët e vjetra: Në lashtësi

Karakteristikë kryesore: Ujërat termale, muzika popullore, sazet

Aktualisht ka: Rreth 4 mijë banorë.

SHIJAK

Origjina e emrit: Me këtë emër që ka sot, Shijaku njihet që para Mesjetës. Toponimi gjeografik i Shijakut është me prejardhje fetare nga Shën Jaku ku fillimisht është quajtur Shen Jak, Shenjak, Shejak, Shinjak e me pas Shijak.

Themelimi: I lidhur gjithnjë me qytetërimin e Durrësit

Gjurmët e vjetra: Gjurmët më të vjetra të jetës njerëzore i përkasin kohës së Gurit të Ri, gjë që vërtetohet nga objekte të gjetura si: çekanë, sëpata prej guri të lëmuar etj. Në zonën e Shijakut janë gjetur prefëse të po kësaj periudhe.

BILISHT

Origjina e emrit: Nga maqedonishtja, Bilišta-Bilisht.

Themeluar: Si qendër e banuar, Bilishti është rreth 3000-vjeçar dhe kjo dëshmohet nga mbeturinat e një kalaje ilire në një nga kodrat mbi qytet. Gjurmët e saj të fundit u zhdukën në fillim të viteve ’70 të shekullit XX, kur gurët u përdorën për ndërtimin e objekteve publike ose private.

Karakteristika: Shkolla e parë që u hap në këtë qytet daton në vitin 1917

Aktualisht ka: 12 mijë banorë.

CERRIK

Themeluar: Në vitin 1947 me krijim e Ndërmarrjes Bujqësore Ushtarake

1956-1957 është ndërtuar Uzina e Përpunimit të Naftës

Objektet kryesore: Radiostacioni, Instituti i Duhanit, Sektori Pyjor i Përpunimit, i Tregtisë, TELEKOMIT, ELEKTRIKUT, i Shërbimit Komunal (janë mbyllur pas viti 1990)

MEMALIAJ

Themeluar: 1946 si qendër industriale për prodhimin dhe shfrytëzimin e mineralit qymyrguri.

Objektet kryesore: Miniera e Memaliajt

Karakteristika: Në vitin 1990 arriti kapacitetin e prodhimit të qymyr gurit 500.000 tonë në vit. Qymyret e Memaliajit radhiteshin në qymyret e para për fuqinë kalorifike me vleftë 4500-4700

ORIKUM

Themeluar: Është themeluar si koloni mbi ndonjë vendbanim ilir më parë se shekulli VI p.e.s

U krijua si qendër bashkie në vitin 1960 dhe u emërtua si një qytezë ushtarake. Ndërsa si qendër e banuar, lagjja më e vjetër e këtij qyteti njihet me emrin “Lagjja e Fermës”, është formuar në vitin 1949.

Tradicionalisht mbahet si qendër e themeluar nga kolonialistët Eubeas, që u kthyen nga lufta e Trojës, por në të vërtetë duhet të jetë themeluar nga Apolonia për të kontrolluar guroret e Akrokerauneve.

Emrat e mëparshëm: Erihoi

Objektet kryesore: Monumenti më i njohur është teatri, i cili është hapur gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1958.

Aty përveç shfaqjeve teatrale zhvilloheshin dhe ndeshje me gladiatorë

Karakteristika: Qyteti luajti një rol të rëndësishëm në betejën e romakëve kundër Filipit të V-të të Maqedonisë si dhe në betejat e Cezarit kundër Pompeit në Orikum që janë dokumentuar në luftërat civile të Cezarit.

Është një nga vendet më turistike shqiptare.

Është qyteti antik më i mbrojtur, sepse është në hapësirën e paprekur të Pashalimanit.

Në 1989 gërmimet nxorën në dritë një varrezë, e cila mendohet të jetë helenistike.

Orikumi është shpallur park arkeologjik kombëtar.

BALLSH

Themeluar: Në shekullin e 4-t para lindjes së Krishtit

Objektet kryesore: Kompania e Naftës “Armo”

Karakteristika: Është një qytet shumë i vjetër ilir, janë akoma rrënojat e Bylisit të vjetër.

Është cilësuar si një qytet arkeologjik afër Bylisit.

Është një nga qytet kryesore në Shqipëri për nxjerrjen e naftës.

Aktualisht ka: 39 mijë banorë.

FIER

Origjina e emrit: Ekzistojnë dy hipoteza:

E para, paraqet variantin e emrit Fier që vjen nga italishtja FIERA, d.m.th treg ose panair.

E dyta, bazohet tek toponimi i rajonit. Duke qenë se shumica e tyre janë me origjinë bimore, ajo thekson se emri i qytetit të Fierit rrjedh nga bima e fierit që rritej me shumicë në këtë vend.

Themeluar: Në vitin 558 p.e.s në një kodër pranë detit dhe afër grykëderdhjes së lumit Aoos ( Vjosa) nga kolonë të ardhur nga Korinti e Korfuzi.

Objektet kryesore: Qyteti antik i Apolonisë, Muri rrethues, Biblioteka, Odeoni, Portiku dhe Kisha Bizantine e shekullit të XIII

Karakteristika: Ndodhet në rrënojat e qytetit antik të Apolonisë

Në periudhën ‘45-‘90, Fieri kthehet në një nga qendrat më të rëndësishme industriale të vendit.

ÇOROVODE

Origjina e emrit: (Nga sllavishtja) Çorrnaja Voda (Uji i Zi)

Themeluar: Në vitin 1912

Objektet kryesore: Kanionet e Osumit, Teqeja e Kulmakut, Tyrbeja e Abaz Aliut, etj.

Karakteristikë: Dallohet për rakinë e famshme të rrushit.