Anamorava ndërmjet viteve 1912-2008, një shekull dhembje deri te pavarësia

Retro: Gjilani me rrethinë kanë përjetuar dhembje të madhe në rrugëtimin më shumë se njëshekullor, nga një pavarësi (1912), deri te pavarësia tjetër (2008).

Krimet ndaj tyre dokumentohen nga materiale arkivore, të njohura e të panjohura deri tani si dhe në raportet e shtypit të huaj dhe të diplomatëve të kohës, që dëshmojnë për vrasje, plaçkitje, terror e masakra që forcat serbe kryen mbi shqiptarët e kësaj pjese të Kosovës, në vitet 1912-1913 e këndej.

Veprimet më çnjerëzore ndaj popullatës shqiptare të Gjilanit me rrethinë ishin kryer nga ushtarët, njësitet vullnetare dhe komitët serbë, të cilët ishin përkrahur edhe nga serbët lokalë.

Diplomacia, shtypi ndërkombëtar i kohës, organizatat që u morën me pasojat e luftërave ballkanike, por edhe vetë socialdemokratët serbë, kishin raportuar asokohe për krime ndaj popullatës shqiptare që nuk i kishte njohur njerëzimi deri atëherë.

Në raportet e tyre thuhet se mijëra shqiptarë të Gjilanit me rrethinë u rrahën e u keqtrajtuan pafajshëm, u përndoqën, u vranë, iu dogjën shtëpitë, iu vodhën pasuritë.

Kjo dhunë e ky terror ka vazhduar për gati një shekull, por shqiptarët nuk hoqën dorë asnjëherë nga ëndrra e tyre për pavarësi, që sot është realitet, thotë historiani, Mr Sc Enver Sadiku.

Popullsia e Gjilanit me rrethinë dhe paria e saj, që me rezistencë të armatosur u vunë në mbrojtje të trojeve të veta, qysh në ditët e para të depërtimit të ushtrisë serbe në tokat shqiptare, iu nënshtruan një dhune e përndjekje të paparë.

Vendbanime të tëra u bënë shkrumb e hi, kurse burra, gra, fëmijë e pleq u vranë ose u dogjën të gjallë, në zjarrin e shtëpive të tyre. Burrat merreshin nga shtëpitë dhe menjëherë pushkatoheshin.

Gazeta “Reichespost” që botohej në Vjenë, duke shkruar për masakrat që kishin bërë forcat serbe gjithkund nëpër Kosovë, nënvizonte se në Gjilan, gati të gjithë banorët ishin vënë nën zjarr dhe nën shpatë dhe se vetëm ata që kishin marrë arratinë, kishin shpëtuar gjallë.

Pushtimi serb i Gjilanit me rrethinë u shoqërua me tmerr e masakra të papara deri atëherë, sidomos në fshatra. Për pastrimin etnik apo zhdukjen e shqiptarëve, ushtria serbe ndiqte një taktikë të përpunuar mirë nga specialistë e kriminelë.

Në fillim vepronte ushtria, duke u futur në çdo fshat, ku kapte e ekzekutonte atdhetarët, kryefamiljarët dhe arrestonte e digjte shtëpitë.

Pasi largohej ushtria, vinin forcat ushtarake – policore e paramilitare, të cilat nën maskën e vendosjes së rendit, arrestonin, vrisnin e zhduknin banorë të pafajshëm, gra, pleq e fëmijë.

Në fshatrat e Malësisë së Karadakut u rrënuan 29 katunde shqiptare, u dogjën e u rrafshuan për tokë 280 shtëpi shqiptarësh, kurse shumica e meshkujve u vranë e u therën.

Rëndë pësuan fshatrat Depcë, Myqybabë, Caravajkë, Peçenë, Kurexhaj e të tjera. Burrat e këtyre fshatrave, pasi ishin zënë nga ushtria serbe, ishin lidhur e grumbulluar në Kodrën e Peçenës dhe ishin masakruar në mënyrën më mizore.

Në dy gropa që ishin hapur, mbi 160 burra të këtyre anëve u therën, u përvëluan e u dogjën nën zhurmën e daulleve e të zurnave.

Masakra u bënë edhe në fshatin Gruhali, ku u vranë 18 burra, gra e fëmijë që në rrugë e sipër ishin duke ikur.

Në Pidiq, fshatarët bënë rezistencë përmasash të vogla, dhe gjatë luftimeve pati të vrarë e në shenjë hakmarrjeje u dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit bashkë me plevicat, ahuret e bagëtinë, ndërsa vrasjet e djegiet vazhduan edhe në fshatrat përgjatë Grykës së Karadakut në Haxhaj, Selishtë, Kurexhaj e Zhegër.

Në fshatrat e Malësisë së Karadakut, shumicën e të vrarëve në varreza të cekëta do t’i varrosnin gratë e fshatit, ngase burrat ishin arratisur në male. Pati edhe trupa që ngelën lëndinave, sepse nuk kishte kush t`i varroste.

Qindra të vrarë janë evidentuar në komunën e Gjilanit dhe gjatë periudhës së Luftërave Ballkanike, thotë historiani Enver Sadiku.

Raporti që përshkruante tmerrin në Anamoravë

Bashkëpjesëmarrës në krimet e kryera ndaj shqiptarëve kanë qenë edhe serbët lokalë, të cilët në forma të ndryshme kanë nxitur ushtrinë për të kryer masakra, siç ishte rasti në Mogillë të Vitisë, ku për një armë që u gjet, njëmbëdhjetë shqiptarë u gjykuan me procedurë të shkurtër.

Imzot Lazër Mjeda, arqipeshk katolik i Shkupit, në raportin e tij dërguar Vatikanit, më 24 janar 1913, në pjesën ku fliste për krimet e kryera në Moravë, shkruante se njeriu tmerrohet kur i përshkruan vjedhjet, grabitjet dhe dhunimet e grave në mënyrën më barbare.

Sipas tij, në Tërstenik, 60 njerëz janë vrarë, 32 në Smirë, 90 në Lubishtë, 20 në Vërban, kurse në Komogllavë, fshat me 50 familje, të gjithë meshkujt janë vrarë pa përjashtim.

Ata që ishin qëlluar, por kishin mbetur gjallë, mbyteshin me bajoneta.

Mjeda njoftonte se edhe Gjilani është masakruar. Forcat serbe, për të fshehur gjurmët e krimit, kufomat i futnin nëpër shtëpi, të cilat më pas i kallnin.

Konsulli austro-hungarez në Shkup e bënte me dije Vjenën për aktet e dhunimit të grave shqiptare të fesë katolike në fshatin Letnicë dhe Shoshevë të anës së Gjilanit.

Gazeta londineze “Daily Telegraph” botonte korrespodencën nga Vjena për masakrat në fshatrat Shamare afër Shkupit, Letnicë, Vërban, Sefer, Lubishtë, Gjylekar, Selicë e të tjera, për përdhunimet në këto fshatra, në fund të shkurtit 1913 shkruante edhe korrespondenti i luftës, i gazetës daneze “Riget”.

Leo Freundlich në “Albanische Korrespondenz” më 20 mars 1913, të botuar në Vjenë, shkruante pos tjerash se në Lubishtë, oficerët serbë shitnin gratë e fshatit si skllave.

Serbët kryen masakra dhe demonstruan dhunë edhe në Malësinë e Gollakut.

Kështu në dhjetor të vitit 1912, një ekspeditë e armatosur bashibozukësh nga Kolloleqi, e udhëhequr nga mësuesi serb Llazar Zeqeviq iu vërsul Shipashnicës.

Pas torturimeve të mëdha, kjo ekspeditë i ndau pesë veta, katër prej të cilëve i pushkatuan në malet e fshatit të tyre.

Masakra e tretë ngeli e pa realizuar

Gjilani ka përjetuar edhe një masakër tjetër, në vitin 1944, që besohet të jetë më e madhe se masakra e Tivarit.

Sipas historianëve, në Luftën e Dytë Botërore, në Gjilan dhe rrethinë janë vrarë e masakruar mbi 8.000 shqiptarë.

Sipas dëshmitarëve okularë, më 16 nëntor 1944, në Gjilan dhe Anamoravë kanë filluar likuidimet masive të shqiptarëve.

Ditën që u “çlirua” Gjilani janë burgosur dhe pastaj natën janë likuiduar pa gjyq 19 shqiptarë.

Ky ishte vetëm fillimi i një ploje të madhe që do të luhej në Gjilan e rrethinë, ditëve të ardhshme. Dëshmitarët kanë rrëfyer për skena trishtimi në burgun e Gjilanit, i cili ishte mbushur me gjak deri në gjunjë.

Shyqeri Sermaxhaj nga Hogoshti, njëri ndër dëshmitarët e burgut, asokohe 17-vjeçar, ka rrëfyer se si më 23 dhjetor 1944, burgu i Gjilanit ishte mbushur plot me shqiptarë, të cilët ishin marrë nga shtëpitë e tyre, zbathur dhe gjysmë të zhveshur.

Ata i ekzekutuan gjatë natës. Kështu kanë vazhduar disa ditë. Dhomat e burgut mbusheshin ditën me njerëz dhe natën zbrazeshin përsëri, ka thënë ky dëshmitar.

Sipas dëshmitarit Avdi Muqolli, të burgosurit priteshin në derë nga ushtarët serbë, të cilët i qëllonin me bajoneta brinjë më brinjë.

Gjenocidi ndaj popullit shqiptar të Anamoravës ishte nxitur nga kreu ushtarak dhe politik i UNÇJ-së, me arsyetim se kishin marrë pjesë në luftë kundër tyre, së bashku me gjermanët.

Likuidimet bëheshin në emër të “pushtetit popullor”. Vrasjet bëheshin pa kurrfarë procedure dhe ekzekutimet kryheshin pas orës 24:00.

Vrasjet dhe likuidimet fizike u shtrinë gjithandej fshatrave Myçibabë, Kurbali, Ilincë, Sefer, Kokaj, Maxhere, Depcë dhe të tjera.

Ushtarë e civilë serbë i kishin duart e lira që të plaçkitnin e të vritnin këdo që donin.

U bënë arrestime dhe ekzekutime në masë, duke mos kursyer gra, fëmijë, pleq, të sëmurë dhe të verbër.

Njerëzit vriteshin në prag të shtëpisë, në rrugë, në burg.

Ekzekutimet bëheshin natën, me armë, bajoneta, sëpata, çekan, thika e mjete tjera, duke bërë aheng dhe nën zhurmën e daulleve, që të mos dëgjoheshin britmat.

Rrugët e qytetit, sipas dëshmitarëve të kohës, ishin mbushur përplot me kufoma të shqiptarëve të masakruar dhe askush nuk guxonte t`i merrte për t`i varrosur.

Pas disa ditësh, trupat u mblodhën dhe u futën në gropa të përbashkëta, diku pranë hyrjes së Kombinatit të Duhanit.

Ilmi Zenuni, i cili ishte urdhëruar për t`i bartur kufomat me qerre, ka rrëfyer se si brenda ditës ka bartur 7-8 qerre me kufoma, të cilat i ka dërguar në afërsi të Kombinatit të duhanit dhe i ka hedhur në disa gropa që kanë qenë aty.

Në një varr kam hedhur një qerre me kufoma, ka thënë ky dëshmitar.

Shqiptarët e Anamoravës bënë sakrificën e tyre për liri edhe në luftën e fundit (1999), që u kurorëzua me fitore.

Kësaj here, me sa duket, forcat serbe u vonuan për të përsëritur “natën e thikave të gjata”, meqë nuk kishin pritur se lufta do të përfundonte më 10 qershor dhe Anamorava shpëtoi nga masakra e tretë./Mediafokus