Kujt i tha kryebashkiaku i Kukësit para 18 vitesh “nga ju mësova si duhen atdheu dhe kombi’

Gjilani dhe Kukësi – dy qytete këto të trojeve shqiptare, të cilat ende i ndan një kufi administrativ, në nëntor të vitit 2001, kishin nënshkruar të parët dokumentin për binjakëzim, duke hapur në këtë mënyrë jo vetëm një portë të re në një mur që për shumë vite e pengoi komunikim ndërshqiptar.

Një delegacion i komunës së Gjilanit, në qershor të vitit 2002, vizitoi Bashkinë e Kukësit, për ta konkretizuar dhe thelluar më shumë bashkëpunimin me këtë qytet të veriut të Shqipërisë, i cili gjatë luftës në Kosovë, ishte shndërruar në një konak të ngrohtë për mijëra shqiptarë të dëbuar nga regjimi serb.

Në shenjë kujtimi të atyre ditëve të hidhura për shqiptarët e Kosovës, asokohe Ylber Zeneli, kryetar i Bashkisë i ka dhuruar kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pikturën “Zogu i paqes”, një simbolikë e malit “Gjallica”, që strehoi e bashkoi shqiptarët në ato ditë të tmerrit, të cilat janë pasqyruar edhe në librin “Kukësi në 79 ditë” dhe në një ekspozitë të fotografive, të cilën, gjilanasit patën rastin ta shohin në lokalet e Bashkisë.

“Ne nuk bëmë asgjë më shumë seç duhet të bëjë vëllai për vëllain”, kishte thënë kryebashkiaku i  Kukësit, Ylber Zeneli, i cili me propozimin e Lutfi Haziri, në shtator të këtij viti (2002) do të udhëheq gjatë një dite komunën e Gjilanit, nga posti i kryetarit të saj, me të gjitha autorizimet që i ka vendi i njeriut të parë në pushtetin lokal.

Ai shprehet i inkurajuar me punën e deritashme të institucioneve të Kosovës, për të avancuar dhe për të përshpejtuar procesin e pavarësisë dhe nuk e fsheh as emocionin, të cilin ai e shprehë duke thënë se “nga ju mësova si të duhen më tepër atdheu dhe kombi”.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke qenë mirënjohës për mikpritjen kuksiane, tha se Kukësi ishte dhe mbetet sinonim i konakut për shqiptarët e Kosovës, në një kohë kur ata po përballeshin me momentet më të rënda dhe në të njëjtën kohë, Kukësi ishte edhe prapavija më e sigurt e luftës  në Kosovë.

Zeneli dhe Haziri, në një konferencë të përbashkët për gazetarët, që mbajtën në Bashkinë e Kukësit theksuan se marrëveshja Kukës-Gjilan pati refleksione shumë pozitive edhe për komunat tjera dhe kjo u vazhdua pastaj me binjakëzimin e Pogradecit dhe Vushtrrisë.

Kryetari i Qarkut, Ylber Vata tha se me Hazirin kishte pasur rastin të takohet edhe në Këshillin e Evropës, ku përfaqësohen pushtet lokale dhe e cilësoi atë si një nga avokatët më të mirë të popullit shqiptar të Kosovës, për arsyen se kishte mbrojtur atje të drejtat e popullit të vetë në mënyrën më dinjitoze, gjatë një polemike me ministrin e jashtëm jugosllav, i cili e kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë nivel të lartë evropian.

“Haziri e sfidoi ministrin jugosllav në atë mënyrë sa që përfitoi gjithë pjesëmarrësit në Këshillin e Evropës, të cilët i duartrokitën paraqitjes së tij”, tha Vata, duke shprehur edhe vetë inkurajim për politikën e mençur të shqiptarëve të Kosovës.