Historiani shqiptar: Tavolina është arma e dobët e shqiptarëve në bisedime me serbët

Historiani Rasim Rexhepi tërhiqte vërejtjen për rrezikun nga i cili duhet të kenë kujdes shqiptarët kur ulen në tavolinë me serbë.

Sipas tij, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme në tavolinat e bisedimeve me Serbinë, sepse ‘lufta’ në tavolina, shpeshherë na ka dëmtuar.

Kompromise ndaj Serbisë pati edhe në Marrëveshjen e Kumanovës, sepse trupat e NATO-s nuk hyn nga drejtimi i Preshevës e Bujanocit, por nëpërmjet Bellanocit e Stançiqit.

Kompromis duket të ketë qenë edhe vendosja e paqeruajtësve francezë këndej luginës së Ibrit, duke e lënë kështu të pa mbuluar me forca të NATO-s territorin verior të Kosovës.

Prandaj, delegacioni ynë duhet të jetë syçelë dhe në bisedime të marrë pjesë vetëm si palë e barabartë, sepse rreziku për të rrëshqitur Kosova në bisedime me Serbinë, nëse ngutet të bëjë marrëveshje, është real.

Fatin tonë e kanë në dorë miqtë tanë përtej Atlantikut dhe ata evropianë, të cilët i kemi falënderuar dhe do t`u jemi mirënjohës përjetë, por në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë se disa nga këto kombe të mëdha, janë edhe miq të serbëve, turqve, boshnjakëve e popujve tjerë të Ballkanit, me shekuj të trazuar.

Falë këtyre miqve të mëdhenj, sot bota di më shumë për Kosovën.

Duhet ta kemi parasysh rastin e inxhinierit amerikan Villson, i cili më vonë ishte bërë president i SHBA-ve, që në fund të shekullit 19, kishte punuar si ekspert në para-projektin e kanalit Danub-Moravë-Vardar-Deti Egje, kur Serbia e Obrenoviqëve dhe Franca kishin menduar ta lidhin Evropën kontinentale me detin Egje.

Villsoni kishte vërejtur dallimin ndërmjet serbëve, turqve dhe shqiptarëve, pasi i ishte shpjeguar se shqiptarët nuk kishin asgjë të përbashkët me këta të tjerët.

Më vonë, në një bisedë me Fan Nolin, ishte interesuar për historinë dhe territorin e shqiptarëve dhe kishte premtuar se do të angazhohet për çështjen shqiptare.

Se çfarë pasoja mund të sjellin më vonë bisedimet me Serbinë dhe marrëveshjet me ta, nëse pala jonë nuk është syçelë, mjafton ta kemi parasysh kontratën e Edrenës.

Serbët dhe rusët janë mjeshtër të tavolinave të bisedimeve, ndërsa kjo është ana jonë e dobët.

Me kontratën paqësore të Edrenës, më 1829, përcaktimet territoriale kanë qenë strikte.

Rusët, më vonë e shpjegonin kontratën si leje për kontroll mbi Kaukaz, edhe pse kurrë nuk kishte qenë pjesë e mbretërisë osmane dhe as nuk ishte përmend në kontratë.

Për këtë arsye, mbretëria osmane ishte detyruar më vonë t`i paguajë Rusisë një dëmshpërblim prej 400 milionë groshë, në afat prej 10 vitesh e që ishte një barrë e madhe për buxhetin e shtetit, sepse përbënte rreth gjysmës së shumës vjetore.

Kjo shumë, më vonë u zvogëlua, por duke i lëshuar Greqisë territore tjera.

Rusët shfrytëzuan mangësitë e kontratës së Edrenës dhe për shtatë ditë e rrethuan Turqinë. Nga këto klauzola, Turqia humbi shumë, sepse Rusia i shpjegonte ato në favor të vetin.

Prandaj, duhet syçeltësi nga delegacioni ynë, në tavolinat e bisedimeve me palën serbe, sepse marrëveshjet me ta, mund të na kushtojnë shumë shtrenjtë më vonë.

Serbia, jo më kot është ulur në tavolinë. Tavolina është përparësia e tyre dhe arma e dobët e shqiptarëve.

Ka një ngjashmëri ndërmjet Marrëveshjes së Edrenës dhe rastit të veriut të Kosovës, me një ndryshim te koha dhe miqësitë mes popujve, thoshte ai. /Mediafokus.info/