Ibra la pas vete një histori të lavdishme, para së cilës përulemi me dinjitet e krenari
Shaqir Shaqiri
(Pak fjalë për veprën e madhe të Ibrës )
“Ibra”, u kyç në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës atëherë kur ne, si Kosovë Lindore (PMB) ishim të organizuar si Zonë e Tretë Operative e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar më vonë në një “Korridor të suksesshëm të furnizimit” të UÇK-së.
Para se të kyçet në UÇK, Ibra ka qenë aktivist i SHHB Nëna Terezë, ku ka krijuar një përvojë të mirë në njohjen e njerëzve, në njohje të terrenit, pastaj përvojën në komunikim dhe përgjithësisht ka krijuar imazhin e një njeriu humanist.
Kështu Ibra kishte krijuar një alibi të mirë të paraqitjes publike me çka i mbulonte mrekullisht lëvizjet e tija dhe i kryente me sukses detyrat që i pranonte.
Kështu, Ibra fitoi besimin e plotë dhe duke qenë një shpresë e madhe ai u emërua komandant i Njësitit logjistik të UÇK-së, me përgjegjësi të veçantë, ruajtja e pikës së Gosponicës.
Pika e Gosponicës ishte njëra nga nyjet kryesore, ku kalonte “Korridori i furnizimit” nga Presheva për në Kosovë dhe anasjelltas.
Ibra me bashkëluftëtarët e tij kishte për obligim që të ruanin kontaktet dhe të koordinonin aktivitetet e njësiteve ushtarake që vepronin në Gjilan dhe Preshevë e që lëvizja bëhej përmes Grykës së Sllubicës.
Përmes pikës së Gosponicës që ishte nën përgjegjësinë e Ibrahim Fejzullahut, është bërë me sukses bartja e armatimit, kalimi i sigurt i personelit ushtarak dhe stafit politik dhe pjesës tjetër të logjistikës për nevojat e domosdoshme të UÇK-së.
Ibra me sukses të plotë ka kryer bartjen e Radio Kosova e Lirë nga Presheva në Gjilan, përcjelljen e sigurt të ushtarëve të plagosur nga Gjilani – në Preshevë në drejtim të Kumanovës, bartjen e armatimit nga Presheva deri në Sllubicë (komuna e Gjilanit) përcjelljen e sigurt të një pjese të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga Gjilani në kufi me Kumanovën dhe detyrave tjera sipas dinamikës së zhvillimeve.
Por, armiku nuk kishte qëndruar duarkryq.
Me 29.05.1999, një ekspeditë e çetnikëve vrastar serb, rrethon fshatin Gosponicë dhe në një përballje të pabarabartë, Ibrahim Fejzullahu – Ibra bie heroikisht në altarin e lirisë.
Ibra la pas vetes një histori të lavdishme, para së cilës ne përulemi me dinjitet e krenari.