Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit

Një nga konceptet e pashmangshme që lidhet me fenomenin e besimit, është përgjithësisht nocioni i xhamisë.

Domethënë, besimi në thelbin e tij është marrëdhënie midis Perëndisë dhe besimtarëve që e adhurojnë Atë.

Kjo marrëdhënie gjithmonë lidhet, në një farë mënyre, me vendin ku shfaqet adhurimi ose ibadeti, që quhet “tempulli i Perëndisë” ose “shtëpia e Perëndisë”.

Pra, xhamia është vendi ku Zoti është i pranishëm dhe është më afër besimtarëve.

Islam Osmani, autor i librit “Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit”, thotë se ndërtimi i xhamive në Anamoravë fillon nga fundi i shekullit XIV, sidomos në fillim të shekullit XV, me ardhjen e turqve në Kosovë, menjëherë pas Betejës së Kosovës, në vitin 1389.

Në bazë të gojëdhënave, ndër xhamitë e para në këtë trevë (Gjilan) është ajo e fshatit Dobërçan, që daton nga viti 1422 (1526) e të cilën e dogjën dhe e shkatërruan deri në themel pushtuesit serbo-sllav.

Përpos saj, xhami të vjetra qindravjeçare janë edhe xhamia Atik në Gjilan (1606), xhamia e Pogragjës (1620), ajo e Pidiqit (1645), e Malishevës (1730), e Bresalcit (1735), e Përlepnicës (1750), e Stançiqit (1750), e Sllakovcit (1770), e Verbicës së Zhegovcit (1782), e Muçibabës (1783) etj.

Numri më i madh i xhamive të ndërtuara në territorin e komunës së Gjilanit, 21 sosh, janë të kohës së Perandorisë Osmane.

Gjatë periudhës së sundimit të Mbretit Karagjorgjeviç, nga viti 1913 e deri në vitin 1944, janë ndërtuar vetëm 4 xhami.

Gjatë periudhës së monizmit, nga viti 1945 e deri në vitin 1999, janë ndërtuar 6 xhami.

Pas çlirimit të vendit, nga viti 1999 e deri më sot, janë ndërtuar 14 xhami të reja dhe janë rindërtuar nga themeli edhe 24 të tjera në vendin e ish xhamive të vjetra, të shkatërruara nga lufta e vitit 1999.

Si shprehje e qëndresës heroike, gjilanasit i rindërtuan ato për herë të dytë e të tretë dhe asnjëherë që prej shekullit XV, territoret e Gjilanit nuk kanë mbetur pa xhami.

Si shprehje e dimensionit kulturor, xhamitë e territorit të Gjilanit ndër vite kanë shërbyer si shkolla e mejtepe, ku u arsimuan me dije fetare dhe shkencore plejada gjilanase.

Si shprehje e tiparit social të Islamit, xhamitë gjilanase shërbyen si vatra vëllazërimi dhe harmonie, si qendra tubimesh dhe kuvendesh të rëndësishme të aspektit patriotik./Mediafokus