Hoti: Gjithmonë një pakicë e kuqe na ka bërë problem në proceset më të rëndësishme

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka thënë se fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit do ta bëjnë vetëm me të vërteta.

Ai ka shpalosur disa nga ato që i cilëson suksese të qeverisë që ai e ka udhëhequr (dhe është akoma në detyrë) në një tubim me qytetarë në Malishevë.

“Nuk kemi bërë shumë zhurmë për punët që i kemi kryer. Modestia e kolegëve të mi e ka mbuluar gjithë atë punë që është bërë në qeveri edhe për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në kohë të pandemisë, por edhe me proceset e rënda të shtetndërtimit dhe të ruajtjes së fundamentit të shtetit dhe miqësive”.

“Kam thënë qysh prej ditës së parë se këtë fushatë do ta bëjmë me të vërteta duke iu treguar qytetarëve të vërteta. Nuk ka qytetar që sot nuk e di të vërtetën pse është rrëzuar qeveria e kaluar ashtu sikur nuk ka qytetar që nuk e di të vërtetën për punët që kemi bërë për gjashtë muajt sa kemi qëndruar në krye të qeverisë. Nuk ka qytetar që nuk ka përfituar nga ndihma e shtetit në situatën që kemi kaluar. Kemi ridizajnuar komplet buxhetin e vendit dhe ju kemi dalë në ndihmë të gjithëve në situatën më të rëndë dhe për këtë ju garantoj që askush tjetër nuk do të mund ta bënte pos LDK-së”.

Hoti është shprehur shumë optimist sa i përket fitores së LDK-së.

“Jam i bindur që më 14 shkurt ne do të festojmë. Neve do të na votojnë bizneset, bujqit, arsimtarët, mjekët, ushtarakët – të gjithë pa përjashtim. Do të na votojë rinia në veçanti me të cilën është bërë punë e jashtëzakonshme në kohën më të vështirë të pandemisë. 700-800 të rinj janë trajnuar për ndërmarrësi, derisa 167 të rinj dhe të reja sot i kanë bizneset e veta dhe kontribuojnë për vete dhe familjen. Në fushën e rinisë ky është veç fillimi – ju garantoj”.

Kandidati i LDK-së për kryeministër ka thënë se në fushatën për zgjedhjet e kësaj të diele nuk po ballafaqohen programet zgjedhore.

“Unë do të doja që vërtet të bënim një garë të fortë politike mes partive politike dhe kandidatëve për kryeministra dhe më pas t’ia lëmë qytetarëve që të vendosin kujt duan t’ia japin besimin. Nuk po mund ta bëjmë këtë garë, sepse askush nuk prezanton asgjë të programit dhe asnjëri nuk është i gatshëm që të dal para qytetarëve dhe me ju tregu se çka do të bëjnë – vetëm me parolla. Me parolla nuk fitohet besimi i qytetarëve. Besimi i qytetarëve fitohet me punë”.

“Edhe në këto ditë të fushatës që na kanë mbetur do t’i përsërisim të vërtetat e pamohueshme. E kemi gjetur këtë vend të izoluar me sanksione ekonomike nga partneri më i madh – SHBA-të. E kemi gjetur vendin me kërcënime për tërheqje të trupave dhe e kemi përmbyllur vitin me vendime të rëndësishme – ushtria jonë u bë bashkë me ushtrinë amerikane në misione paqeruajtëse, hyrja në projekte madhore miliardë dollarë amerikanë, njohja nga Izraeli që derivon nga marrëveshja që është sharë e nëpërkëmb në Kuvend disa herë”.

Hoti nuk e ka lënë pa i thumbuar kundërshtarët politikë. Ani se nuk përmendi emra se kujt po i drejtohet ai la të nënkuptohet se e ka për Vetëvendosjen.

“Nuk jemi lëkundur nga rruga jonë asnjëherë – tash e 30 vjet. I kemi pasë pengesë në rrugën e shtetndërtimit të Kosovës që 30 vjet. Gjithmonë një pakicë e kuqe na ka bërë problem në proceset më të rëndësishme që ka kaluar Kosova. Disa prej tyre, që sot disa i kanë idol, kanë kërkuar që të marrin pjesë në zgjedhje të Serbisë në fillim të viteve 90-ta dhe të tjerët pas luftës kanë nxjerrë njerëz në rrugë ku edhe janë vrarë për të kundërshtuar Planin e Ahtisaarit. Njëjtë na e kanë bërë edhe me Marrëveshjen e Washingtonit veçse se s’kanë pasë fuqi as guxim me sjell dhunë në Kuvend siç patën sjellë para tri vjetësh për kauzën e rrejshme të Demarkacionit”.