Hoti: Kam arritur t’i sanoj dëmet që i bëri Qeveria Kurti me Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti,  ka folur rreth situatës me COVID-19, takimin në Bruksel, takimin që ishte planifikuar të mbahej me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, dëmet nga Qeveria Kurti dhe mundësinë që Partia Demokratike e Kosovës t’i bashkohet Qeverisë, raporton Express.

Duke folur për situatën epidemiologjike në vend, Hoti tha se po bëjnë gjithçka që kanë në dorë në mënyrë që të menaxhojnë situatën në mënyrën më të mirë.

“Hapja ndodhi 2 javë më përpara se sa është dashur. Kështu e gjetëm dhe u munduam që t’i zbatojmë protokollet e zbatuara nga OBSH”, tha Hoti në Pressing, derisa sipas tij, edhe qytetarët nuk respektuan rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ndërkohë ka shpjeguar se u detyruan të marrin veprime më ‘ekstreme’ pasi numri i të infektuarve u rrit.

Hoti ka folur edhe për për rifillimin e dialogut me Serbinë, duke thënë se qëllimi i dialogut është njohja reciproke.

Ai e ka komentuar edhe momentin kur Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e pyeti nëse din serbisht.

“Ne kemi filluar këtë proces pas 20 muajve, me rekomandime të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kemi dialogu me BE’në dhe partnerët për të arrirë një marrëveshje përfundimtare. E cila kryefjalë ka njohjen reciproke dhe normalizimin e raporteve. Interpretimi i mediave se si kemi hyrë në takim është çështje e gazetarëve dhe qytetarëve se si interpretohet”, është shprehur Hoti.

Tutje, ai tha se me Serbinë po dialogohet për njohje reciproke dhe mbylljen e të gjitha çështjeve me Serbinë.

“Ne hyjmë në këtë proces jo për të normalizuar vijat e autobusëve. Janë të rëndësishme, por pas 9 vjetëve dialog, ne duhet të dialogojmë për mbyllje të të gjitha çështjeve që kemi me Serbinë. Normalizimi i vetëm vjen vetëm me njohje reciproke”, shtoi Hoti.

Gjatë intervistës, Hoti ka folur edhe për takimin që ishte planifikuar të mbahej më 27 qershor në Washington, i cili u anulua për shkak të publikimit të akuzave nga Prokuroria Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ku pas kësaj edhe Hoti vendosi të mos shkojë në Amerikë.

“Ne vlerësuam se delegacioni u përgjysmua dhe vendosëm ashtu. Ne e kuptuam vetëm pasi zbritëm në Vjenë. Ishte befasi por është çështje e drejtësisë”, është shprehur Hoti.

Tutje ai tha se amerikanët kërkuan që takimi të mbahej, megjithatë e mirëkuptuan situatën.

“Ndodhi ajo që ndodhi, derisa delegacioni u përgjysmua vendosëm se është më mirë të shtyhet për një herë tjetër. Biseduam me ambasadorin Grenell dhe ata kërkuan që takimi të mbahet pavarësisht çka ndodhi. Por, pas diskutimeve dhe vlerësimeve të situatës që kam bërë, unë kam kërkuar që të shtyhet takimi dhe ata kanë mirëkuptuar”, ka thënë Hoti në T7.

I pari i ekzekutivit ka folur edhe për sic thotë dëmet që i bëri Qeveria Kurti. Ai është i bindur që në kohën e qeverisjes së tij ka arritur t’i sanojë të gjitha dëmet që i bëri Kosovës qeveria paraprake e udhëhequr nga Albin Kurti në raport me partnerët ndërkombëtar.

Hoti thotë se ai ka komunikim të vazhdueshëm me të gjithë mbështetësit e vendit.

“Unë sot kam komunikime të rregullta me Shtëpinë e Bardhë, me kabinetin e kancelares Angela Merkel, me kabinetin e Macron dhe me Brukselin gjithashtu”, tha Hoti duke folur në emisionin Pressing me Leonard Kerqukin në T7.

“E kemi rikthy komunikimin pas një periudhe të rëndë të raporteve”, tha ai.