Hoti: LDK është favorit kryesor për t’i fituar zgjedhjet

Kryeministri Avdullah Hoti është shprehur i bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalë partia e parë në zgjedhjet që do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Hoti tha se janë favorit për të fituar zgjedhjet dhe se tash u mbetet që ta përgatisin një listë për të kandiduar në zgjedhje.

“Të gjitha i diskutojmë, tani jemi në përgatitje për të shkuar në zgjedhje. Nëse i shihni veprimet që i kemi ndërmarrë për 6, 7 muaj në krye të Qeverisë ne jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje. Ju e dini si e kemi gjetur vendin, plotësisht të bllokuar, me sanksione ndërkombëtare. E kemi hapur komplet, e kemi menaxhuar pandeminë në mesin e tri-katër vendeve që e ka menaxhuar më së miri. Unë jam i bindur që jemi favorit për t’i fituar zgjedhjet, tash kemi përpara për ta përgatitur një listë”, tha ai.

Këto komente Hoti i bëri në hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999”.