Hoti për VV-në: Gabuam dhe i futëm në qeveri

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, në mbrëmjen e sotme qëndroi në Suharekë, ku i shpalosi premtimet e tij elektorale.

Hoti ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë vetëm dy alternativa: LDK-në dhe partitë tjera që, sipas tij, s’përfaqësojnë asgjë,

“Mendonin që LDK-ja mori fund dhe mund të bëjnë çka të duan me shtetin e Kosovës, por LDK është e fuqishme dhe e palëkundur që 30 vjet për të çuar Kosovën aty ku e ka vendin, pra në BE dhe SHBA. Ky ka qenë dhe do të jetë misioni ynë. Shteti i Kosovës është i përhershëm dhe jo eksperimental. Kjo është filozofia jonë e trashëguar tash e 30 vjet”.

Hoti duke lëvduar punën e qeverisë së tij se ka menaxhuar disa procese që veç LDK ka mundur ta bëjë, ka thënë se i ka rënë pishman për koalicionin me Vetëvendosjen, për të cilën tha se më kurrë nuk do ta ketë në partneritet.

“Kemi gabuar në fillimin e vitit të kaluar dhe i kemi futur në qeveri dhe pas 52 ditëve u dashtë me i nxjerrë prej qeverisë sepse filluan të bëjnë dëme. Ju garantojmë që më kurrë s’do t’ia japim shansën me udhëheqë me institucione. Asnjëherë”.

Hoti shtoi se vetëm LDK-ja mund të sjellë normalitet dhe stabilitet në vend dhe askush tjetër.