Hoti: Përderisa LDK krenohet me historinë e saj, oponentët po e fshijnë të kaluarën e tyre

Avdullah Hoti, kandidat i LDK-së për kryeministër ka mbajtur takim me banorët e Lugut të Baranit në Pejë, ku ka thënë se përderisa LDK krenohet me të kaluarën shtetformuese, oponentët politikë po e fshijnë të kaluarën sepse po turpërohen nga të bëmat e tyre kundër shtetit dhe interesave të qytetarëve.

“Ata gjithmonë kanë qenë në anën e kundërt të historisë së shtetit dhe demokracisë së Kosovës. Ne krenohemi me historinë tonë politike. Krenohemi me Presidentin Rugova dhe rrugëtimin e tij që po e ndjekim edhe sot, ndërsa oponentët tanë kanë qenë në anën e kundërt të Rugovës dhe të shtetit të Kosovës. Sot kanë angazhuar me dhjetëra IT për t’i fshehur nga publiku deklaratat e tyre kundër demokracisë dhe kundër procese që sollën formimin e shtetit të Kosovës”, tha Hoti.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës e njohin më së miri gjithë kontributin që ka dhënë secili, duke filluar nga rezistenca paqësore, lufta për liri, rindërtimi nga lufta dhe procesi i krijimit të shtetit.

‘Vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës i ka të hapura dyert në të gjitha kancelaritë e botës’, ka thënë Hoti.