Hoti s`e ka larg, edhe Haradinaj, edhe Limaj të pakënaqur me të
Duket se qeveria Hoti nuk do të mbijetojë gjatë. Pakënaqësi me të kanë shprehur haptas dy partnerët e koalicionit, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i nervozuar me kryeministrin Avdullah Hoti dhe e ka paralajmëruar se nuk do ta përkrah nëse vazhdon kështu.
Emërimi i Skender Hysenit për koordinator për dialog, ka ndodhur pa paralajmëruar AAK’në, tha Haradinaj në Rubikon te Klan Kosova.
“E ka emëruar Skënder Hysenin. I pari që ia përkrahi është Presidenti Thaçi. Aleanca s’ka qenë as në dijeni. Asnjë SMS nuk e kemi marrë që do ta emëroj Hysenin në çështjen e dialogut. Nëse dojnë me përvetësu dialogun një grup i ngushtë, atëherë le të mbahen mirë kur të vijnë në Kuvend. Nëse ne nuk ankohemi dhe vazhdojmë me këtë dialog, s’ka se si me u kyçë Amerika. Ne jemi duke e bë të pamundshme me marr rol Amerika dhe me krye punë”, tha Haradinaj.
Ai tha se është kundër që Kosova të vazhdojë pa kornizë kohore dhe paqartësi në dialog.
“Premtimi për një mos marrje ose mos lobim për njohje deri në takim i bije si mos nxitje e konflikteve diplomatike diku deri në ngjarje, pra është një lloj armëpushimi deri në takim, të them të drejtën ka logjikë ai premtim para takimit në Amerikë që ndoshta është menduar që do të arrihet një marrëveshje, por nuk ka logjikë me vlejte ai premtim për procesin Borell-Lajcak”.
“Hoti dhe Mustafa duhet ta bëjnë një hap prapa në obligimet që i kanë marrë të tilla. Nuk mund të vazhdojnë me një agjendë pa kornizë kohore, pa qëllime konkrete, që është prej temës në temë”.
“Ne nuk jemi kundër rolit të BE-së në dialog, por dinamika kohore e BE-së është tepër e disfavorshme për ne, vetëm ia lehtëson Serbisë hapjen e kapitujve për të shkuar drejt BE-së, në na mbanë ashtu siç na ka mbajtur deri tani, as liberalizimin e vizave nuk na e ka dhënë”.
Ndërkohë, edhe Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, tha në emisionin Pressing të T7, se nuk ka qenë i informuar për emërimin e Skënder Hysenit si koordinator për dialogun Kosovë-Serbi.
“S’kam qenë i informuar për koordinatorin, por është çështje e kabinetit. Pse e ka emëruar nuk e di”, është shprehur Limaj në T7.
Tutje ai tha se është i rezervuar rreth kësaj çështje për shkak se nuk e di saktësisht pse është emëruar Hyseni koordinator për dialogun.
“Jam i rezervuar sepse nuk e di pse është emëruar”, shtoi Limaj./mediafokus.info

