Hoti: Sivjet e përmbyllim procesin e liberalizimit të vizave dhe njohjen nga Serbia

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka mbajtur tubim në Gjakovë, ku ka thënë se me qeverisjen e LDK-së, gjatë këtij viti do të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave dhe procesi i njohjes reciproke nga Serbia, ashtu si ka kërkuar Presidenti amerikan, Joe Biden.

“Vendet e BE-së i besojnë qeverisjes së LDK-së si pjesë e Partive Popullore Evropiane. Ne kemi përkrahjen e partive simotra për të përmbyllur me sukses procesin e liberalizimit të vizave gjatë këtij viti. Ne gjithashtu kemi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë, siç tha Presidenti Biden ‘me njohje recirpoke”, tha kryeministri Hoti.

Ai tha se si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit që kam nënshkruar me presidentin Trump, Kosova do të përfitojë fonde në vlerë prej 1 miliard euro investime.

“Do ta realizojmë ëndrrën shekullore për lidhjen hekurudhore Prishtinë-Durrës”, tha kandidati për kryeministër.

Ai tha se vitin e kaluar kemi nisur realizimin e disa projekte në Gjakovë, të cilat do të vazhdojnë edhe sivjet dhe vitin e ardhshëm.