Hovenier: Nuk kam mundur të ndryshoj qëndrimin e Kurtit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit më kryeministrin Albin Kurti ka thënë se nuk ka arritur t’ia ndryshojë Kurtit qëndrimin për situatën në veri.

“Nuk do të thosha se kam mundur të ndryshoj qëndrimin e kryeministrit të cilin ai e ka shprehur shumë publikisht. Unë do të them se kemi pasur një diskutim të mirë. Megjithatë, më duhet të përsëris pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara për atë që duhet të ndodhë, që është se ne nuk e shohim nevojën në këtë moment që këta tre kryebashkiakë të punojnë nga ato ndërtesa dhe nuk besojmë se do të jetë e favorshme për stabilitetin dhe sigurinë në rajon tani për policinë e Kosovës që t’i sigurojë ata”, deklaroi ai.

Krahas këtyre, Hovenier, tha se s’ka pasur sanksione ndaj Kosovës dhe nuk dëshiron të përdorë atë fjalë, por vetëm disa pasoja për shkak të situatës aktuale.

Ai shtoi se shpreson që kjo situatë të kalojë në mënyrë që të mos ketë më pasoja, teksa refuzoi të përgjigjet se çka do të ndodhte sikur Kurti të mos ndërronte mendje.

Situata në veri, sipas Hovenierit, po e pengon edhe marrëveshjen bazë Kosovë-Serbi.