Hoxha Nysret Hajdari ra dëshmor për lirinë e Kosovës

Shkruan: Mustafë Hajdari

Pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe rinisë time e kemi kaluar së bashku me Mulla Nusretin, sepse ishim edhe të një gjenerate.

I lindur në vitin 1968, në fshatin Dobërçan, si fëmijë, ka vijuar kursin e mësim-leximit të Kuranit, pranë xhamisë së vjetër në fshat.

Këtë kurs, e kemi vijuar para fillimit të shkollës fillore, nga mosha 5 vjeç e gjysëm e deri në fillimin e shkollës fillore në shkollën ‘’Nazim Hikmet’’ në Dobërçan.

Ishte një fëmijë shumë i dashur dhe i afërt me të tjerët.

Shkollën e mesme e ka mbaruar në Medresenë e Mesme ‘’Alaudin’’ në Prishtinë (1984-1988), periudhë kjo që e kemi kaluar së bashku, në të njejtën klasë dhe në të njejtën dhomë në konviktin e Medresesë.

Pas kryerjes së Medresesë është punësuar si imam dhe vaiz në fshatin Pogragjë, pastaj për një periudhë 6 mujore në xhaminë ‘’Atik’’ në Gjilan, për t’u vendosur pastaj në xhaminë e poshtme në Dobërçan, ku ka shërbyer deri sa ka rënë dëshmor.

Ditën e diele, me 13 Qershor 1999 mund ta konsideroj si një prej ditëve më të pikëlluara për mua, sepse në këtë ditë e humba djalin e axhës, shokun e klasës, shokun e dhomës, me të cilin kemi qenë së bashku, pothuajse që prej lindjes tonë e deri në përfundimin e Medresesë.

13 Qershori 1999, në ditën kur ra dëshmorë Mulla Nusreti, është e njejta datë kur serbët që e vranë ate, e dogjën edhe xhaminë e epërme të fshatit e cila ishte një prej xhamive më të vjetra të Kosovës.

Vrasja e Mulla Nusretit dhe djegia e xhamisë, ishte një humbje e madhe, si për familjen ashtu edhe për mbarë fshatin e më gjerë.

Kontributi i hoxhë Nusretit në periudhën më të vështirë të luftës ishte i jashtëzakonshëm, si në aspektin fetar, duke i kryer detyrat e imamit edhe në kohërat më të vështira, po ashtu edhe në planin kombëtar, duke i prirë popullit në mbrojte nga armiku.

Vepra e Mulla Nusretit dhe rënia e tij për lirinë e Kosovës është tregues i veçantë se hoxhallarët, gjithmonë kanë qenë prijës të fesë dhe të kombit përgjatë gjithë historisë së popullit shqiptar.

/Autori është profesor në medresenë “Alaudin”, në Gjilan. Shkrimi është bërë enkas për Mediafokus.info/