Humb jetën tragjikisht në Gjermani studenti shqiptar nga Tetova

Studenti i Universitetit të Tetovës, Emre Nazifi nga Krusheva, ka humbur jetën tragjikisht në Gjermani.

Lajmin e ka bërë të ditur Universiteti i Tetovës, duke shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të studentit të Gjuhës Angleze.

Nazifi është vlerësuar si një student shembullor, i njohur për urtësinë, përkushtimin ndaj studimeve, mirësjelljen dhe vlerat e tij njerëzore.

“Emre do të mbetet në kujtesën e profesorëve, studentëve dhe të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Universiteti i Tetovës u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Nazifi, miqve dhe të afërmve, duke ndarë dhimbjen për humbjen e studentit të ri.