Hyseni: Bazën e orientimit e kemi nga dëshmorët, ndërkaq sytë dhe zemrën kah e ardhmja

Kryetari i Komununës së Gjilanit, Alban Hyseni, me bashkëpunëtorët, vizitën e parë jashtë zyrës pas marrjes së detyrës e ka bërë te kompleksi i varrezave të dëshmorëve, për të bërë nderime.

Kryetari Hyseni ka thënë se kjo dëshmon dhe tregon që ne jemi të përkushtuar që t’i qëndrojmë besnik asaj se për çka janë angazhuar dëshmorët e kombit.

“Sot në mëngjes kam pranuar detyrën dhe e kam dhënë betimin si kryetar i Komunës së Gjilanit, ndërkaq vizita e parë jashtë zyrës është në kompleksin e varrezave të dëshmorëve. Kjo dëshmon dhe tregon që ne jemi të përkushtuar që t’i qëndrojmë besnik asaj se për çka janë angazhuar dëshmorët e kombit. Ndërkaq, tregon edhe respektin por edhe bazën prej nga ne nisemi. Pra, bazën e orientimit e kemi nga e kaluara, nga dëshmorët e kombit, ndërkaq sytë dhe zemrën e kemi kah e ardhmja me projektet që do të sjellin ndryshime për Gjilanin”, ka thënë Hyseni.