Hyseni: Kufizimi pjesërishëm i lirisë së lëvizjes nga komunat, s’është antikushtetues

Kryetarët e komunave të Kosovës, në takimin e sotëm në Drenas, kanë dalë me qëndrimin që ora policore të vazhdoj edhe pas 13 prillit, kur edhe hyn në fuqi aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, si masë parandaluese kundër përhapjes së Covid-19.

Por, a ashtë antikushtetues vendimi i komunave për kufizimin e lëvizjes së lirë?

Flamur Hyseni, profesor në Katedrën Kushtetuese të Fakultetit Juridik të Universitetit te Prishtines “Hasan Prishtina”, ka deklaruar për Mediafokus.info se vendimi eventual i komunave për kufizimin e pjesërishëm të lirisë së lëvizjes nuk është antikushtetues.

“Çdo kufizim të pjesërishëm të lirisë së lëvizjes në kohë Pandemie të COVID19, në harmoni të plotë me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nuk është në kundershtim me Kushtetutën e RKS. Baza e mjaftueshme juridike për një kufizim të tillë është në ligjin nr. 02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse”, ka thënë Hyseni për Mediafokus.info.

Profesori universitar ka theksuar se kufizimi i përkohshëm i lirisë së lëvizjes dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, ka dallim esencial.

“Kufizimi i lirive pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ka kuptim tjetër. Në këtë kohë kemi kufizimi vetëm të lirisë së lëvizjes vetëm pjesërisht dhe përkohësisht. Për këtë ekziston ligji (i lartcekur) dhe të njëjtën vendimmarrje e përcakton edhe Kushtetuta, neni 55.1”, ka sqaruar profesori në Katedrën Kushtetuese, Flamur Hyseni.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se vendimi i Qeverisë i marrë me 23 mars 2020 për ‘orën policore’ nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ky vendim hynë në fuqi më 13 prill dhe tashmë mbetet në diskrecion të komunave që të vendosin për mënyrat, masat dhe formën e kufizimit të lirisë së lëvizjes./Mediafokus.info/