Hyseni mbledh urgjentisht KKSB-në pas rasteve të fundit në Gjilan

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka kërkuar rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e policëve në shkolla pas vrasjeve të fundjavës që tronditën këtë qytet në juglindje të vendit.

Hyseni ka mbajtur sot mbledhjen urgjente te Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli.

“Sot kemi mbajtur mbledhjen urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për të adresuar situatën e sigurisë pas ngjarjeve të fundit tragjike. Në këtë takim, ku mori pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, u njoftuam nga afër me detajet e rasteve përmes drejtorit rajonal dhe komandantit të stacionit të policisë. Gjatë mbledhjes kërkova zyrtarisht rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e prezencës së policisë në shkolla për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë”, shkroi ai në Facebook.

Hyseni tha se kanë ofruar bashkëpunim të plotë e të pakursyer me organet e rendit dhe se secili përfaqësues institucional mori për obligim një angazhim të shtuar për të parandaluar ngjarje të tilla.

“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor dhe do të punojmë me vendosmëri për të garantuar qetësinë dhe rendin publik në çdo pjesë të Gjilanit”, shkroi ai.