I caktohet masa e paraburgimit të dysharit për “vrasje në tentativë”
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit A. S.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 05.04.2023, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje, pas një mosmarrëveshje të mëhershme ka tentuar të privojë nga jeta tani të dëmtuarit L.H dhe Sh. H., ku i pandehuri del nga vetura dhe shkrep me revole në drejtim të të dëmtuarve dhe i godet në pjesët e poshtme të trupit, ku për shkak të lëndimeve të marra, të dëmtuarit detyrohen të marrin trajtim mjekësor.
Më këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake, duke i parë karakteristikat personale të të pandehurit, ambienti dhe kushtet në të cilat jeton i pandehuri, të gjitha këto japin arsye për të besuar se me gjetjen e tij në liri i njëjti do të mund të përsërisë veprat penale apo edhe të kryejë vepra tjera penale me pasojë më të rëndë, gjë që kjo paraqet arsye për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet në njoftimin e Gjykatës.