I caktohet një muaj paraburgim një serbi të dyshuar për krime lufte

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se, gjatë ditës së sotme është arrestuar një person, mashkull, kosovar i nacionalitetit serb, G.M., si i dyshuar për krime lufte në Kosovë, konkretisht në masakrën e Dubravës në maj të vitit 1999.

Prokuroria Speciale njofton se  kuadër të hetimit për vrasjet dhe keqtrajtimet e të burgosurve në Burgun e Dubravës, gjatë luftës në Kosovë, ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimit kundër të pandehurit G.M., për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka keqtrajtuar fizikisht të burgosurit e atij burgu si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e një numri të madh të të burgosurve gjatë muajit maj të vitit 1999.

Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka caktuar të pandehurit G.M., paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj, thuhet në njoftim.