I infektuari nga Kamenica ka mbajtur linja udhëtimi për Gjermani e Zvicër
Personi nga Kamenica, që rezultoi me koronavirus, kishte hyrë në Kosovë më 18 mars përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë dhe prej atëherë eshtë mbajtur në karantinë.
Drejtoresha për Shëndetësi në Kamenicë, Suna Zajmi i ka thënë Gazetës Express se i infektuari është shofer i një autobusi, që transporton udhëtarë drejt Gjermanisë dhe Zvicrës.
“Herën e fundit ka qenë në Gjermani dhe ka qëndruar vetëm një ditë. Ka hyrë në Kosovë më 18 mars, përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë. Pas kthimit ka qenë në karantinë. Ditët e para ka shku në QKMF, meqenëse ka qenë i shqetësuar, por nuk ka ndonjë raport se i ka thy rregullat e karantinës”, ka thënë Zajmi.
Zajmi deklaron se e kanë në dorë listën me 14-15 personat me të cilët i infektuari me COVID-19 ka pasur kontakt, derisa thotë se deri tani asnjë prej familjarëve nuk ka shfaqur ndonjë simptomë.
Aktualisht, nuk ka ndonjë rast tjetër të dyshuar për koronavirus.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës ka marrë vendim mbrëmë që fshati Topanicë i komunës së Kamenicës të vendoset në karantinë./mediafokus.info

