I riu mashtron taksistin në Gjilan: E paguan me 100 euro fals, ia merr kusurin origjinal
Rastet kur po kryhen shërbime në biznese të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra e mijëra euro para që dyshohet të jenë të falsifikuara po vazhdojnë të vihen përditë në qarkullim, në tregun e Kosovës.
Një rast i tillë i ka ndodhur edhe një taksistit në Gjilan, i cili ka pranuar nga një klient një kartëmonedhë prej 100 euro, që dyshohet të jetë e falsifikuar.
Sinjali mëson nga burimet brenda Prokurorisë se rasti është raportuar dje në Polici, ku punëtori ka deklaruar se 100-shen që dyshohet të jetë fals e kishte pranuar nga një person, të cilin e kishte dërguar në disa lokacione në qytetit.
Siç duket kjo është një ‘metodë’ e re për të vënë në qarkullim para të falsifikuara, pasi i dyshuari ia ka dhënë taksistit paratë fals dhe i njëjti ia ka kthyer kusurin origjinal.
Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet për “falsifikim të parasë”.

