Ia ndalin pensionin 114 vjeçares, i ka kaluar mosha, thonë

Qamile Marra është 114 vjeçe. Asaj i është ndalur pensioni me arsyetim se i ka kaluar mosha.

Qamilja është nga fshati Ferras i Kuçovës.

Djali i saj, Hysen Marra, tha për gazetarët se në muajin janar 2023, nëna e tij nuk e ka marrë dot pensionin mujor prej 7700 lekësh sepse e kanë bërë të vdekur.

Sipas tij, familjarët duhet të deklarojnë në zyrat e Gjendjes Civile – Kuçovë nëse është gjallë apo jo nëna e tyre çdo fillim viti.

Këtë gjë ata nuk e kanë ditur ndaj nuk u ka ardhur pagesa e pensionit.

Edhe nusja e djalit, Rrahime Marra, tregon se vjehrra e saj nuk e ka marrë pensionin sepse i kanë thënë që ka kaluar moshën dhe se duhen dokumente për ta vërtetuar nëse e moshuara jeton ende.

“Jam nusja e Qamiles. Vajtëm për të marrë pensionin këtë muaj, në janar. Shpërblimin e morëm, pensionin nuk e morëm.

Vajti burri për t’u ankuar atje se duhet një certifikatë. I gjetëm dhe i çuam. Vajtëm pastaj dhe na thanë ka mbushur moshën, 114 vjet.

Ç’qenka kjo, paska mbushur moshën. I ka ditët e Perëndisë. Ia ka dhuruar Zoti. Le të jetë edhe 200 ajo ka ditët e veta”, tha nusja.

114-vjeçarja Qamil Marra është në gjendje të mirë shëndetësore dhe thotë se nuk vuan nga asnjë sëmundje.

Ajo ka 6 fëmije, 4 vajza dhe 2 djem, ku vajza e madhe është 85 vjeçe.

E moshuara tregoi se ka punuar 35 vjet në kooperativë bujqësore dhe për këtë merr një pension prej 7700 Lekësh.

Ushqehet me bylmet dhe madje bën punët e shtëpisë dhe i lan vetë rrobat e saj.

Nënë Qamilja ka pasur jetë të shëndetshme. Asnjë sëmundje nuk ka.

Edhe pse është 114 vjeçe, Qamile Marra nuk ngopet me jetën.

“Ngopet lumi me ujë që të ngopet robi me jetë? Nuk ngopem me jetë”, tha ajo.