Identiteti ballkanik, pjesë e identitetit europian

Enris Qinami

Popujt ballkanikë kanë veçoritë dhe zakonet e tyre. Gjuha, kultura, poezia, arkitektura, religjoni, historia, dhe shumë tipare të tjera i dallojnë ballkanasit nga pjesa tjetër e Europës.

Gjithsesi, këto dallime nuk e ndajnë, nuk e veçojnë Ballkanin nga Europa, por përkundrazi i japin atij identitetet specifike, brenda kontinetit të vjetër.

Është gabim thelbësor ta shohim Ballkanin të ndarë nga Europa, duke artikuluar shprehje si për shembull: Ballkani dhe Europa!

Gadishulli i Ballkanit, duke qenë në udhëkryq të qytetërimeve, midis tre kontineteve, Europë, Azi dhe Afrikë, me një pozitë shumë të favorshme gjeografike, me një klimë të mrekullueshme, male, fusha, dete e liqene, është padyshim pjesa më fertile e Europës.

Në kërkim të identitetit, në kërkim të udhëve shpirtërore të origjinës së tij, prej vitesh vërehet një lloj braktisje nga identiteti ballkanik drejt atij europian.

Kjo arratisje tek shqiptarët përshëmbull justifikohet me slloganin tanimë 30 vjeçar “E duam Shqiperinë si gjithë Europa”, duke harruar se Shqipëria, si dhe i gjithë Ballkani është pjesë e Europës qysh nga kohët e lashta, prej antikitetit e deri më sot.

Ky sllogan, mund të kuptohej se erdhi natyrshëm në vitet 90, pas një periudhe izolimi të plotë 45 vjeçar, kur shqiptarët donin të ishin si Europa, (që në të vërtetë nuk e njihnin, përveç se prej ekraneve të televizioneve).

Por sot, në 2021 popujt e ballkanit nuk kanë pse të jenë dikush tjetër përpos çka ato janë vetvetiu dhe në mënyrë të natyrshme.

Popujt e Ballkanit duhet të mendojnë të jenë pikë së pari vetvetja dhe jo një kopje e zbehtë e pjesës tjetër të Europës.

Ballkani është Europë, dhe këtë duhet ta kuptojnë njëherë e mirë ndërkombëtarët, por mbi të gjitha duhet të mos ta harrojmë ne, popujt e Ballkanit!

Siç thotë edhe prof. Ferid Muhiç, Ballkani është Europë dhe pjesa tjetër e kontinetit është ajo që sot quhet Bashkimi Europian.