IHK apel për kujdes: Të shmangen sot daljet në pyje shkaku i motit të keq

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot gjatë ditës parashihen ndryshime të mëdha në troposferë dhe vranësira konvektive të fuqishme.

IHK këshillon që gjatë këtyre kushteve të rënda meteorologjike të mos krijohet kaos, sidomos në komunikacion dhe të shmangen shëtitjet dhe punët në pyje.

“Ky mot parashihet të shoqërohet me stuhi, rrufe e në vende të kufizuara do të ketë kushte edhe për reshje breshëri dhe erëra të fuqishme”, thuhet në njoftimin e IHK-së.

Nga Instituti po ashtu këshillohet që kujdes të kenë barinjtë të cilët i ruajnë delet në vise të larta, sepse siç thuhet në njoftim, rrufeja i godet në tufë për shkak të disa faktorëve specifik, përçueshmërisë së lartë dhe afërsisë së tyre, sepse kur rrufeja godet tokën e gjithë ajo energji përhapet nëpër tokë në një perimetër të gjerë.