LDK i rikthehet diasporës, në Zvicër salla plot

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka filluar takimet me atdhetarët në Zvicër. Këtë e ka bërë të ditur vet ai përmes një shkrimi dhe disa fotografive të publikuara në rrjetet sociale.

Kreu i LDK-së, shihet i shoqëruar me Anton Qunin, Sokol Halitin, Armend Zemaj e Shkumbin Gashin.

“Në mërgatë, angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh sepse LDK do të udhëtojë me bashkëatdhetarët tanë në çdo hap të vetin politik. Ky është veçse fillimi”, thotë Abdixhiku.

POSTIMI I PLOTË:

LIDHJA NË ZVICËR

Sonte, së bashku me Ekipin Politik për Mërgatë, me Anton Quni, Sokol Haliti, Armend Zemaj e Shkumbin Gashi, takuam bashkatdhetarët tanë në Grenchen të Zvicrës – në shënim të 32 vjetorit të themelimit të Degës së LDK këtu. Sot, takova njerëz që kanë dhënë kontribut për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para; siç dhe takova njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para. Takova burra e gra, të rinj e të reja, që Kosovës i kanë dhënë pasurinë e saj më të madhe – i kanë dhënë mërgatën. Kryetarit të Degës Ahmet Kosumi e anëtarëve të Kryesisë i urova për angazhimin në shtëpinë tonë të përbashkët.

Entuziazmi i jashtëzakonshëm i njerëzve tanë këtu, ishte rikonfirmim i qartë i rikthimit tonë në diasporë. Për mua, për bashkëpunëtorët e mi, pjesëmarrja këtu ishte nder i veçantë. Takimi me njerëzit punëtorë, të drejtë, atdhetarë, patriotë e kontributdhënës të të gjitha kohërave është detyrim politik i lidhjes sonë.

Lidhja jonë në mërgatë është lidhje e vlerave, e ideve, e kontributit kombëtar – është besëlidhje për një Kosovë që e duam të gjithë. Në mërgatë, angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh sepse LDK do të udhëtojë me bashkëatdhetarët tanë në çdo hap të vetin politik. Ky është veçse fillimi.