“Impeachment” ndaj Presidentit Trump: Gjithçka që duhet ditur
Faton Bislimi
Sot në orët e hershme të mëngjesit, mediat ndërkombëtare e kanë dhënë lajmin e ditës mbi vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për t’i aprovuar “Nenet e Akuzës” apo “Articles of Impeachment” ndaj Presidentit Trump. Ajo që të bën më shumë përshtypje është një korrelacion jo i drejtë mbi këtë veprim të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve dhe vendimit për shkarkim të Presidentit amerikan.
“Impeachment” është një proces kushtetues në SHBA që i mundëson Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit që të akuzojnë në mënyrë zyrtare cilindo nga zyrtarët e lartë shtetëror duke përfshirë këtu edhe vet Presidentin e SHBA-ve, për krime te larta duke përfshirë tradhtinë dhe korrupsionin (ryshfetin). Kushtetuta e SHBA-ve, për të mos lënë në duar të jurisë apo gjyqeve të rregullta akuzën, gjykimin, dhe dënimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë të zgjedhur apo emëruar, ia ka dhënë të drejtën e “impeachment” vetëm Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit. Realisht, ajo që ka ndodhë dje mbrëma në SHBA, është e barasvlershme me atë që në zhargonin tone të jurisprudencës do të njihej si “konfirmim i aktakuzës” ndaj presidentit Trump.
Kjo nënkupton se pas disa muajsh hetimesh të zhvilluara nga Komisioni Legjislativ i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve, të kryesuar nga Kongresisti dhe Kryetari i këtij Komisioni Jerry Nadler, dje mbrëma nën udhëheqjen e Kryetarë së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kongresistët krejtësisht të ndarë në vija partiake votuan për të “konfirmuar aktakuzën” ndaj Presidentit Trump.
Për t’u bërë i plotfuqishëm akti i “impeachment” apo konfirmimi i aktakuzës, nevojitet vota e shumicës së thjeshtë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe këtë demokratët e kanë, andaj edhe aktakuza u konfirmua në të dyja nenet e veta – neni një që akuzon Presidentin për keqpërdorim të pushtetit të tij (apo detyrës zyrtare) dhe neni dy që akuzon Presidentin për pengim të punës së Kongresit.
Sipas procedurës kushtetuese amerikane, fakti që dje mbrëma i është konfirmuar aktakuza Presidentit Trump në asnjë mënyrë nuk nënkupton as shkarkim nga detyra e as ndonjë kufizim tjetër të ushtrimit të detyrës së tij. Realisht, të qenët “impeached” apo me aktakuzë të konfirmuar, mund të qojë në shkarkim nga detyra zyrtare edhe Presidentin, por vetëm atëherë kur pas një gjykimi, ai do gjendej fajtor sipas aktakuzës në fjalë.
Tani, pasi që Dhoma e Përfaqësuesve në të cilën demokratët kanë shumicën (232 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve janë demokratë, 198 janë republikanë, 1 është i pavarur, dhe 4 karrige janë vakante, nga 435 anëtarë gjithsej sa ka Dhoma e Përfaqësuesve), e ka konfirmuar aktakuzën në dy nenet e lartcekura, sipas procedurës kushtetuese amerikane, rasti përcillet në Senat.
Senati është i obliguar që të gjykojë secilin rast të “impeachment” pra secilin zyrtar të lartë shtetëror ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ka vendosur të konfirmojë aktakuzë për ndonjërin nga krimet e parashikuara me procedurën e “impeachment” siç janë krimet e larta ndaj shtetit, tradhtia, apo marrja e ryshfetit. Nëse i akuzuari në fjalë është Presidenti apo Zëvendës Presidenti i SHBA-ve, atëherë gjykimi në Senat udhëhiqet nga Kryesuesi i Gjykatës Supreme të SHBA-ve, jo nga Kryetari i Senatit siç do ndodhte për cilido zyrtar tjetër. Aktakuza e konfirmuar nga Dhoma e Përfaqësuesve ndaj Presidentit Trump thirret në “abuzim të pushtetit” dhe “pengim të Kongresit” të cilësuara si krime të larta në kuadër të procedurës se “impeachment.”
Andaj, në momentin që aktakuza e konfirmuar i dërgohet Senatit të SHBA-ve, ata e kanë për obligim ligjor e kushtetues që nën udhëheqjen e Kryesuesit të Gjykatës Supreme të SHBA-ve (gjykatës më të lartë në vend), të gjykojnë rastin në fjalë dhe të shpallin verdiktin, pra të vendosin nëse i akuzuari, ne këtë rast Presidenti Trump është fajtor apo jo.
Për të dhënë verdikt të fajësisë, pra për të gjetur fajtor Presidentin Trump sipas aktakuzës në fjalë, dy-të-tretat e Senatit duhet të votojnë “për” apo “pro” verdiktit të fajësisë. Senati ka 100 anëtarë, dhe në këtë legjislaturë, nga këta 100 anëtarë, 53 janë republikanë, 45 demokratë, dhe 2 të pavarur. Pra, për të gjetur fajtor Presidentin Trump, jo vetëm se do duhej të votonin të gjithë demokratët dhe të pavarurit, por të paktën edhe 20 republikanë ashtu që të arrihej shumica e kërkuara e dy-të-tretave, pra të arrihej numri i 67 votave të domosdoshme për të shpallur aktgjykim fajësues për Presidentin Trump. E, në rast se kjo do të ndodhte, pra dy-të-tretat e Senatit do të votonin për një verdikt fajësues ndaj Presidentit Trump, atëherë ai do të largohej nga posti i Presidentit.
Sidoqoftë, kur dihen ndarjet e thukta në këtë temë sipas vijave partiake, dhe kur kihet parasysh fakti se në Senat, republikanët kanë shumicën e anëtarëve, duket realisht krejtësisht e pamundur që një verdikt fajësues për Trumpin do të arrihet.
Andaj, të gjithë ata që me nguti e shpallën aktin e konfirmimit të aktakuzës ndaj Presidentit Trump nga Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit si “shkarkim” ose “procedure për shkarkim” duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të kuptojnë drejtë këtë procedure. Në fund të fundit, dihet postulati kryesor i drejtësisë “të gjithë janë të pafajshëm deri sa të mos jenë gjetur fajtor me verdikt gjykues.” E në rastin e Presidentit Trump, mundësia që të arrihet një verdikt gjykues që atë e gjen fajtor është pothuajse zero.
Faton Bislimi është anëtar bordi dhe coordinator për politika në Ballkan i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe anëtar i Këshillit për Diplomaci Qytetare të German Marshall Fund of the US në Washington, DC.

