Infektologët kosovarë rezultojnë të pa infektuar deri tani

Personat më të rrezikuar nga virusi corona janë infektologët dhe stafi tjetër shëndetësor, i cili ka kontakt me pacientë, por deri tani, përkundër dyshimeve, nuk ka rezultuar pozitiv asnjëri prej tyre.

Infektologu Salih Ahmeti ka thënë se dy mjekë infektologë të QKUK-së u janë bërë analizat e nevojshme, por fatmirësisht kanë rezultuar negative.

Në Gjilan, një infektologe është vetizoluar për 14 ditë, pasi ajo e kishte kontrolluar pacientin e parë të dyshuar për coronavirus, i cili edhe doli pozitiv.

Ajo dhe krejt stafi i ndërrimit të asaj nate që kujdestaruan në Qendrën Emergjente në Gjilan, i janë nënshtruar vetizolimit 14 ditor, sepse rregullat shkencore e thonë kështu.

Ekskluzivisht për Mediafokus.info, doktoresha Selvete Shurdhani, ka thënë se është mirë dhe nuk ka shenja të infeksionit, por po e respekton protokolin për sëmundjet ngjitëse për vetizolim.

“Nuk domethënë gjithsesi që çdo kontakt me pacientin e merr COVID-19, por ligji i sëmundjeve infektive thotë kështu dhe duhet të respektohet”, ka thënë doktoresha Selvete Shurdhani.

Ajo një ditë para se të ballafaqohej me pacientin, i cili rezultoi me coronavirus, e kishte shfaqur brengën e saj për rrezikun e infektimit nga pacientët./mediafokus.info