Infermieria si edukuese dhe promovuese e shëndetit

DNP /MIK Sabedin Sherifi

Ndikimin që pati Florence Nightingale në zhvillimin e infermierisë sot është shumë i rëndsishëm, Nightngale ishte një nga edukatoret e para të shëndetit; mund të thuhet se ajo nxori në pah rëndësinë e infermieres si edukatore dhe promovuese shëndeti, para se të vinte në dukje rëndësinë e tyre si infermiere.

Edukimi shëndetësor është një nga aspektet më të rëndësishme dhe një sfidë për rolin e infermieres. Infermieret përbëjnë një nga grupet më të mëdha (në mos më të madhin) të punonjësve shëndetësorë dhe kanë kontakte të shpeshta me publikun. Për këtë arsye, siç tregon dhe shembulli i Florence Nightingale, ato kanë një potencial të jashtëzakonshëm për të influencuar mbi shëndetin e njerëzve dhe kështu edhe të kombit.

Sigurisht infermieret nuk janë të vetmet punonjëse shëndetësore që kanë përgjegjësinë e edukimit dhe promovimit të shëndetit; grupe dhe punonjës të tjerë duhet të njohin rolin e tyre në mënyrë që infermieria të përmbushë potencialin e saj/e tij si edukatore shëndeti. Infermieret që punojnë në spital mund të mendojnë se parandalimi është një problem që nuk u përket, sepse detyra e tyre është të kujdesen e të kurojnë.

Në fakt, parandalimi përfshihet në çdo gjë që bëjnë. Për shembull, të mësosh pacientin/klientin është një veprim parandalues – të mësosh një diabetik të bëjë injeksionet e insulinës pastër dhe me efikasitet; të këshillosh një pacienti që është operuar për hernie për t’u ngritur pas operacionit; të mësosh një person që është operuar për katarakt se si të hedhë ilaçin në sy ose një person me astmë se si të përdorë nebulizatorin; të diskutosh me një grua e cila ka hequr gjirin për pamjen e trupit; ose t’i japësh informacion një personi të moshuar që do të kthehet në komunitet mbi përfitimet dhe sigurimin.

Qëllimi i edukimit shëndetësor dhe i mësimit të pacientëve është që t’i bëjë njerëzit më të aftë për të marrë vendime të arsyeshme mbi çështje që kanë të bëjnë me shëndetin dhe mireqenien.

Pra çfarë duhet të bëhet që infermieret të jenë më të afta si edukatore shëndeti? Infermierja duhet të jetë e motivuar për të kryer edukim shëndetësor dhe automatikisht ta shohë këtë si pjesë të rolit të saj. Përveç sëmundjeve, ajo duhet të njohë edhe shëndetin.

Ju tashmë i keni shumë nga aftësitë e duhura për të qenë një edukatore, aftësi që ju po i përdorni në aspekte të tjera të rolit tuaj si infermiere. Kjo përfshin aftësitë komunikuese si ajo e të dëgjuarit, aftësitë vlerësuese të tilla si vlerësimi i nevojave, njohurive dhe konceptimit të edukimit shëndetësor nga pacienti.

Sidoqoftë, roli juaj si edukatore shëndeti është mjaft i ndryshëm. Ju mund të jeni mësuar të bëni gjëra për pacientët ose klientët, ndërsa në promovimin e shëndetit ju duhet të punoni me ta. Marrëdhëniet anojnë më tepër nga partneriteti.

Pacientëve ose klientëve mund t’u duket e vështirë ose e çuditshme të përfshihen në vendimet që merren, mbi kujdesin ndaj shëndetit të tyre dhe disa prej tyre kjo mund t’i bezdisë.

Shtatë dimensionet e edukimit shëndetësor.

1. Shëndeti, si rrjedhim edhe edukimi shëndetësor, merren me personin si një i tërë dhe përfshijnë aspektet fizike, mendore, sociale, emocionale, shpirtërore dhe publike.

2. Edukimi shëndetësor është një proces që zgjat gjithë jetën nga lindja deri në vdekje dhe i ndihmon njerëzit të ndryshojnë dhe të përshtaten në të gjitha fazat.

3. Edukimi shëndetësor merret me njerëzit në të gjitha momentet e jetës së tyre, nga krejtësisht të shëndoshë deri në të sëmurë dhe të paaftë kronikë, me qëllim që të rrisë në maksimum potencialin e çdo njeriu për një jetë të shëndetshme.

4. Edukimi shëndetësor i drejtohet individëve, familjeve, grupeve dhe gjithë komuniteteve.

5. Edukimi shëndetësor merret me ndihmën që u jepet njerëzve për të ndihmuar veten dhe për të punuar për krijimin e kushteve sa më të shëndetshme për çdonjeri dhe për “bërjen më të lehtë të zgjedhjeve të shëndetshme”.

6. Edukimi shëndetësor përfshin mësimdhënien zyrtare/formale dhe jo-zyrtare/jo-formale, duke përdorur një gamë të gjerë metodash.

7. Edukimi shëndetësor ka një sërë qëllimesh, duke përfshirë këtu dhënien e informacionit, ndryshimin e qëndrimit, të sjelljes dhe ndryshimet sociale.

Ky vizion i gjerë i edukimit shëndetësor vë në dukje se ka shumë “zona gri” ku është vështirë të thuhet nëse puna quhet apo jo edukim shëndetësor. Për shembull, t’i mësosh një pacienti ose klienti dietën terapeutike është “trajtim” apo “edukim”? Modifikimi i sjelljes është “terapi” apo “edukim”? Sidoqoftë, një pyetje e rëndësishme është nëse emërtimi ka rëndësi – dhe ne mendojmë se jo.

Megjithatë, duhet të pranojmë se edukimi shëndetësor shpesh përfshin një fushë të ngushtë aktiviteti. Ndonjëherë ai nënkupton vetëm parandalimin dhe përjashton edukimin e pacientit. Ndonjëherë ai i referohet vetëm mësimdhënies zyrtare me individët dhe grupet duke përjashtuar të gjithë mësimet që mund të merren nëpërmjet televizionit, miqve dhe familjes.

Së fundi, edukimi shëndetësor shpesh interpretohet i lidhur vetëm me edukimin që ka si qëllim të ndryshojë sjelljen e njerëzve. Kjo përjashton punën për qëllime të tjera, të tilla si transformimi i mjedisit në një vend më të shëndetshëm.

Pesë metodat e edukimit shëndetësor

Në këtë seksion jepen pesë metoda të edukimit shëndetësor: mjekësore, e ndryshimit të sjelljes, edukative, e drejtimit të klientit dhe e ndryshimeve sociale. Tiparet karakteristike do të diskutohen së bashku me shembujt e aplikimit të tyre.Diskutimi mbi përdorimin e metodave të ndryshme në praktikë ndiqet nga një ushtrim për analizimin e filozofisë së edukimit shëndetësor.

Tashmë ju do ta keni kuptuar se edukimi shëndetësor është një proces me kufij të papërcaktuar. Kjo mund t’i bëjë infermieret konfuze e të pasigurta mbi çfarë duhet të bëjnë në edukimin shëndetësor. Është e lehtë të bësh teori, por ne duhet të kthehemi në realitetin e përditshëm dhe të dimë se ku po shkojmë. Për të ndihmuar infermieret të vendosin mbi pozicionin e tyre, ne identifikojmë pesë metodat e edukimit shëndetësor.

1. Metoda mjekësore

Qëllimi i kësaj metode është të sigurojë shmangien e sëmundjeve dhe paaftësive të mirëfillta mjekësore si sëmundjet infektive, kanceri dhe sëmundjet e zemrës. Metoda përfshin ndërhyrjen mjekësore me qëllim që të parandalojë sëmundjet ose të zbusë efektet e tyre, zakonisht duke përdorur metoda bindëse dhe autoritare – për shembull, bind prindërit të sjellin fëmijët për t’i

imunizuar dhe vaksinuar, gratë të përdorin metodat e planifikimit familjar dhe meshkujt e moshës së mesme të kontrollojnë vazhdimisht presionin e gjakut.

2. Metoda e ndryshimit të sjelljes

Qëllimi i kësaj metode është të ndryshojë qëndrimet dhe sjelljet e njerëzve, që ata të mund të përvetësojnë një mënyrë “të shëndetshme” jetese. Këtu për shembull, përfshihet promovimi i pikëpamjes se duhani është antisocial, mësimi i njerëzve me mënyrat e lënies së duhanit, edukimi mbi pirjen “e arsyeshme” të alkoolit, inkurajimi i njerëzve për të bërë më shumë ushtrime fizike, të kujdesen për dhëmbët dhe të hanë ushqimet “e duhura”.

Të dy këto metoda shpesh quhen në mënyrë të pasaktë “parandalim” ose “model mjekësor” dhe ato gërshetohen me njëra-tjetrën (për shembull, përdorimi i institucioneve mjekësore për kryerjen e kontrolleve shëndetësore ose përdorimi i metodave të planifikimit familjar, janë ndryshime të sjelljes).

Sipas krijuesit të këtyre dy metodave, specialistët mjekësorë dhe ata shëndetësorë kanë njohuri të tilla që i bëjnë ata të aftë të dinë çfarë është në interesin e pacientëve apo të klientëve të tyre dhe të publikut të gjerë, dhe se është përgjegjësia e tyre të bindin njerëzit për të përvetësuar mënyra “më të shëndetshme” jetese. Për më tepër, vetë shoqëria ua ka dhënë atyre këtë përgjegjësi dhe njerëzit shpesh kërkojnë këshilla dhe ndihmë për probleme të ndryshme shëndetësore. Këtu nuk flitet për të bindur medoemos klientët kundër dëshirës së tyre; në fakt njerëzit shpesh kërkojnë të binden, madje edhe të detyrohen, për të bërë gjëra të vështira për ta siç është lënia e duhanit, rënia në peshë. Një pikë tjetër në favor të këtyre metodave është se këta individë mund të mos jenë në pozita të tilla që të mund të marrin përgjegjësi mbi vete, për shembull, sepse janë shumë të rinj, shumë të sëmurë ose të paaftë për të mësuar.

Këto metoda kanë zënë një vend të rëndësishëm në edukimin zyrtar shëndetësor. Megjithatë, kohët e fundit ato kanë qenë objekt i mjaft kritikave, për arësyet e mëposhtëme:

· Ato marrin si të mirëqenë faktin se “ekspertët” dinë se ç’është më e mirë. Ky pohim është i paqëndrueshëm, veçanërisht në dritën e problemeve të diskutueshme ku ekspertët kanë ndërruar mendje ose kanë dhënë këshilla kontradiktore, si në debatet nëse gjalpi apo yndyrnat e pa-ngopura janë më të mirat, nëse vrapimi është më shumë i dëmshëm se i dobishëm dhe duke rishikuar faktin se karrotat dhe mollët janë të mira për të pastruar dhëmbët.

· Ato i imponojnë klientit vlerat mjekësore. Shpesh kjo nënkupton imponimin e vlerave të klasës së mesme mbi njerëzit e klasës punëtore, dhe nuk ka një justifikim etik bindës për këtë.

· Ato mund të nxisin ndjenja faji nëse klienti vendos të mos ndjekë regjimin “e shëndetshëm” që i është këshilluar.

· Ato mund të nxisin rebelimin tek njerëzit që janë lodhur së dëgjuari se çfarë duhet të bëjnë.

· Ato pranojnë se sjellja e individit është shkaku kryesor i sëmundjes. Ky është një këndvështrim i kufizuar – siç vumë re kur studiuam faktorët përcaktues të shëndetit – dhe mund të kundërshtohet me faktin se fokusimi mbi individin zhvendos vëmendjen nga faktorët përcaktues më të rëndësishëm (dhe më të prekshëm) të shëndetit të tilla si kushtet social-ekonomike dhe papunësia.

· Gjithashtu, ato supozojnë se individët kanë një liri të plotë për të zgjedhur një mënyrë të “shëndetshme” jetese, por e vërteta është se liria për të zgjedhur shpesh është e kufizuar. Faktorët ekonomikë mund të ndikojnë në zgjedhjen e ushqimit.

Sa influencë kanë në të vërtetë njerëzit mbi faktorët dëmtues të shëndetit të tillë si stresi në punë dhe papunësia?

Kjo metodë e edukimit shëndetësor është quajtur edhe “fajësimi i viktimave” sepse fajëson njerëzit për shëndetin e tyre jo të mirë, kur në fakt ata janë viktima të rrethanave.

Në situatat kur burimet e kohës, energjisë dhe të të ardhurave janë të kufizuara, zgjedhjet mbi shëndetin bëhen kompromise mbi shëndetin. Ajo që punonjësi shëndetësor mund ta shohë si papërgjegjshmëri, është në fakt ajo që klienti sheh si veprimin më të përgjegjshëm në ato rrethana.

3. Metoda edukative

Synimi i kësaj metode është të japë njohuri dhe të bëjë të mundur kuptimin e problemeve shëndetësore duke u bazuar në idenë se kjo do të na bëjë të aftë të marrim vendime për probleme mbi të cilat jemi informuar mirë dhe të veprojmë mbi bazën e tyre.

Informacioni mbi shëndetin jepet në një mënyrë sa më të shkëputur nga vlerat, dhe njerëzit ndihmohen të analizojnë vlerat dhe qëndrimet e tyre si dhe të marrin vendime mbi sjelljen e tyre në lidhje me shëndetin. Gjithashtu, mund t’u ofrohet ndihmë për të zbatuar këto vendime.

Dallimi thelbësor midis kësaj metode dhe atyre që u diskutuan më lart është se kjo nuk përpiqet të imponojë idetë e edukatorit apo të bindë njerëzit; edukatori duhet të jetë në gjendje të pranojë se vendimet e klientit mund të mos jenë ato që do të kishte pëlqyer ai.

Kjo metodë ka gjithashtu të mirat dhe kufizimet e saj. Ajo mund të përpiqet të jetë e shkëputur por asnjë proces edukimi s’mund të jetë krejtësisht i tillë.

Zgjedhja fillestare e materialeve dhe metodave të edukimit në vetvete bazohet mbi gjykimin e vlerave nga ana e edukatorit. Kuptohet se edukatori ka pikëpamjet e tij vetjake, të cilat ka të ngjarë të vihen re në mënyrë të padukshme (ose të dukshme).

Megjithatë, kjo metodë i lë më pak vend kritikave mbi imponimin e vlerave mjekësore të klasës së mesme dhe mbi supozimin se “eksperti” ka përgjigjen “e drejtë” sepse në këtë metodë njerëzve u kërkohet të vendosin vetë se cilat janë përgjigjet “e drejta”.

Sidoqoftë, kjo metodë mund të kritikohet për faktin se fokusohet mbi individin dhe i kushton pak vëmendje ndryshimit të mjedisit social-ekonomik i cili kufizon lirinë e zgjedhjes së individit.

4. Metoda e drejtuar nga klienti

Në këtë metodë fokusi perqendrohet mbi punën me klientët, me qellim që ata të mund të përcaktojnë çfarë duan të dinë dhe ne menyre qe të marrin vendime e të bëjnë zgjedhje në bazë të interesave dhe vlerave të tyre.

Dallimi thelbësor ndërmjet metodës së drejtimit të klientit dhe atyre të diskutuara më sipër është se problemet identifikohen nga vetë njerëzit dhe jo nga edukatori.

5. Metoda e ndryshimit social

Qëllimi i kësaj metode është të ndryshojë mjedisin për të bërë më të lehtë zgjedhjen e mënyrave të shëndetshme të jetesës – me fjalë të tjera, ajo synon të bëjë më të lehta zgjedhjet e shëndetshme.

Përdorimi i kësaj metode përfshin veprime politike ose sociale që mund të merren me çështje me rëndësi të madhe politike.

Ose ajo mund të merret me një problem të një shkalle më të vogël dhe të lidhur më pak me politikën.

Në të dy këto shembuj qëllimi është të lehtësojë (duke siguruar më shumë vende pune dhe duke vënë bukën e zezë në menu) zgjedhjen e alternativës më të shëndetshme (punësimi ose përdorimi i bukës së zezë).

Një dallim mjaft i rëndësishëm ndërmjet kësaj metode dhe atyre të përshkruara më parë është se edukimi shëndetësor u drejtohet, përveç publikut të gjerë, dhe atyre që bëjnë politikën dhe planet në të gjitha nivelet.

Kufizimi kryesor i kësaj metode është natyra e saj e diskutueshme. Shumë probleme, të tilla si papunësia, janë të lidhura me politikën dhe edukatorët shëndetësorë mund të kundërshtohen nga grupe të fuqishme interesash dhe çështjesh financiare.

Për shembull, përmirësimi i sigurisë në punë mund të kërkojë vendosjen e masave të sigurisë, gjë që ul prodhimin dhe fitimin. Gjithashtu, metoda është vënë në diskutim sepse ka një ndryshim të dukshëm nga metodat tradicionale të edukimit shëndetësor individual të drejtuara mbi klientin.

Për disa njerëz, qëllimi i saj për të ndryshuar shoqërinë është vështirë të kuptohet si “edukim”, por ne mendojmë se ndërgjegjësimi mbi aspektet shëndetësore të vendimeve politike mund të konsiderohet si një edukim i vlefshëm jo vetëm i personave që merren me politikat, por dhe i publikut.

Këto pesë metoda janë përmbledhur më poshtë duke përdorur shembullin e duhanit për të ilustruar se si mund të përdoren metodat e ndryshme në edukimin shëndetësor ndaj pirjes së duhanit.

Gjithashtu ajo mund të mendojë se duhet të përdorë metodën e drejtimit të klientit dhe ta lërë mënjanë temën e duhanit.