Inspektorati Policor jep detaje për vrasjen në Gjilan

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në qytetin e Gjilanit. Aty një pjestar i policisë së Kosovës me inicialet V.H ka goditur për vdekje një person i moshës madhore në mes të rrugës “Nato 99”, në Gjilan, raporton Gazeta Express.

Lajmin për vrasjen e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe zëdhënësi i policisë rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani.

“Mund të ju konfirmojë se rreth orës 04:50 në rrugën ‘Nato 99”, ka ndodhur një vrasje. Motivet ende nuk dihen. Policia dhe ekipet e tjera kanë ndalë në vendin e ngjarjes si dhe po i vazhdojnë hetimet. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, shkruan Express.

E ndërkohë, Express mëson se zyrtari policor me inicialet V.H e ka goditur për vdekje viktimën. Polici është i Gjilanit, mirëpo veprimtarin e tij si zyrtarë policor e ushtron në Prishtinë.

Express shumë shpejtë do të sjellë detaje të tjera rreth kësaj ngjarjeje.

Zyrtarë nga Inspektoriati Policor i Kosovës kanë dhënë detaje për vrasjen që V.H zyrtar policor, dyshohet se në mëngjesin e sotëm e ka kryer në qytetin e Gjilanit. Nga IPK kanë deklaruar se personi i dyshuar  V. H. pjesëtar i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, ka shtënë me armë  zjarri në drejtim të viktimës L.S , shkruan Express.

Sot rreth orës 05:00 të mëngjesit, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion së në rrugën “Nato 99” në Gjilan ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë e këtij incidenti një person ka vdekur.

Pasi që dyshimet ishin se në këtë incident i dyshuar ishte një pjesëtar i Policisë së Kosovës, menjëherë përmes “Linjës së kaltër” janë njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Bazuar në hetimet preliminare dyshohet se personi i dyshuar V. H., pjesëtar i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, ka shtënë me armë  zjarri në drejtim të viktimës L.S .

Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor, kurse me vendim të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është suspenduar nga detyra.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës./Gazetaexpress/