Intelektuali që s`e hoqi plisin deri në shtratin e vdekjes

SABEDIN SHERIFI

Plisi për ne shqiptarët është një nga simbolet më të çmuara, që nga kohërat më të lashta e deri më sot. Thonë se edhe Zeusi (zoti hyjnor) mbante plis.

Në mbarë hapësirat ku jetuan pellazgët, rreth brigjeve të Mesdheut, në afresakt e tyre pasqyrohet plisi, jo vetëm si veshje, por edhe si simbol hyjnish.

Edhe shtatë papat e Vatikanit, me prejardhje ilire-shqiptare bartnin një kësulë të bardhë, që simbolizonte paqe mbi njerëzimin.

Plisi nuk ishte vetëm një mbrojtës nga të ftohtit, por më shumë se kaq. Ai tregonte për identitetin e bartësve të tij.

Bartjen e plisit, shumë njerëz e paguan me kokë gjatë pushtimeve të ndryshme.

Mbaj mend si fëmijë që ne kishim një odë, dhomë për mysafirë, ku vinin shumë vizitorë, jo vetëm nga rrethina, por dhe më larg.

Ne si fëmijë uleshim në trapazan dhe dëgjonim me kureshtje rrëfimet e tyre nga më të ndryshmet.

Dikush tregonte për belatë (hasmëritë), dikush për luftërat e përjetuara, dikush tregonte për gjërat që kishte parë gjatë vizitave nëpër vende të ndryshme…

Sa kureshtar ishim ne. Bëheshim krejt veshë për të dëgjuar çdo gjë që flitej në odë.

Ishte kohë kur nuk kishim as rrymë elektrike. Krejt çka ndriçonte, ishte një llambë vajguri që më shumë bënte tym se sa dritë.

Tymi i duhanit i mbulonte të gjithë, si një jorgan dimri, pasi që nuk hapej dera për ajrosje. E, muhabeti vazhdonte.

Një person që vinte shpesh në odën tonë e që në kokë mbante përherë plisin, ishte një njeri i rrallë, i veçantë.

Me axhën tim bisedonin gjerë e gjatë, sa ne nga lodhja duke i dëgjuar, flinim në prehër të tyre.

Ishte interesant se ky njeri që vinte te ne, ishte me shkollë dhe ngritje intelektuale, kurse xhaxhai im, kuvendimin e kishte dhunti nga zoti, sepse nuk kishe më shumë se katër klasë fillore.

Baci Mon e thërrisnim, si emër përkëdhelës i emrit Sylejman, që vinte nga familja Musliu.

Syeljman Musliu (29.07.1921-31.07.1994) ishte ndër intelektualët e parë nga malësia jonë. Kishte mbaruar medresenë dhe më vonë një shkollë të lartë, por gjithmonë e kishte rujatur modestinë.

Gjithë jetën ishte në shërbim të edukimit të brezit të së ardhmes sonë. Ai punoi në shkollë, si sekretar, afër gjysmë shekulli.

Gjatë gjithë jetës ishte njeri shumë i veçantë, jo vetëm nga puna që e bënte më aq zell, por edhe për një karakteristikë tjetër. E, kjo karakteristikë ishte plis i tij.

Për kohën e komunizmit, ishte disi e ndaluar që një intelektual të barte një simbol të tillë.

Por Bacit Mon nuk mundi t`ia heq plisin nga koka askush dhe asnjëherë.

Njeriu më plis, si i ri ishte në vijë me intelektualët e kohës, si Adem Gllavica e Hysen Terpeza.

Unë s`e kam jetuar atë kohë, por si fëmijë i dëgjoja rrëfimet e bacit Mon me xhaxhanë tim dhe ashtu më janë ngulitur në kokë.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Baci Mon kishte qenë pjesë e formacioneve shqiptare që luftonin për çlirim kombëtar.

Baci Mon tregonte se si në një mbledhje, të mbajtur në Plitkoviq të Malësisë së Zhegocit, Adem Gllavica po u thoshte bashkëluftëtarëve, e në mesin e tyre edhe bacit Mon, se lufta ka marrë fund.

Fuqitë botërore na kanë lënë nën komunizëm. Lufta jonë ka mbaruar dhe, edhe sikur të vritemi të gjithë ne, është e kotë.

Pas luftës, Baci Mon bëri punë intelektuale, ndihmoi të rinjtë dhe i përkrahu ata në shkollim dhe ngritje arsimore e kulturore. Ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm në anën humanitare.

Ai plisin nuk e hoqi as në zyrën ku punonte dhe e barti deri në shtratin e vdekjes, më 31 korrik të vitit 1994.

Sigurisht që kishte një lidhje shumë të fortë shpirtërore të tij më simbolin pellazg-ilir-shqiptar.

Këto copëza kujtimesh i kam ruajtur në memorien time për më shumë se dyzet vite, ndoshta të harruara nga shumë njerëz të tjerë./Mediafokus/