IPK merr vendim për krijimin e ekipit për hetimin dhe inspektimin e konkursit për rreshter

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se do të hetojë dhe inspektojë konkursin e gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës, në të cilin u raportua për favorizime.

Rezultatet e testit me shkrim të mbi 2 mijë policëve që po synojnë gradën e rreshterit, për të cilën janë 355 vende të lira, tashmë kanë dalë.

IPK bëri të ditur se ka pranuar disa ankesa dhe informacione nga burime të ndryshme për mbarëvajtjen e procesit të këtij konkursi me pretendime për shkelje të ndryshme.

“Hetuesit e IPK-së fillimisht kanë analizuar dhe verifikuar informacionet fillestare për parregullsi në proces. Gjithashtu Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj ka marrë vendim për krijimin e një ekipe të përbashkët inspektuese-hetuese për të hetuar dhe inspektuar tërë procesin e gradimit nga momenti i shpalljes deri në fazën aktuale. IPK varësisht nga të gjeturat do të ndërmerr veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore.” – ka njoftuar IPK.