Isa Mullaidrizi iku nga kjo botë pa i gjetur eshtrat e babait dhe pa e ditur varrin e tij

Isa Mullaidriz Gjilani iku nga kjo jetë para një viti, në moshën 82-vjeçare, me merakun pa e ditur varrin e babait të tij, Mulla Idrizit, një ish-udhëheqës i Lëvizjes për Çlirim Kombëtar, i cili për gjysmë shekulli i shërbeu kombit të tij, shkruan Mediafokus.info

Për këto merita, Mulla Idriz Gjilanit, në vitin 2012 iu akordua titulli “Urdhri i Lirisë” nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në të vërtetë, disa eshtra ishin gjetur në vitin 2011, në afërsi të Gjilanit, por me sa dihet, nuk u vërtetua kurrë nëse ato i përkisnin Mulla Idriz Gjilanit.

Ai iku nga kjo botë pa e marrë atë përgjigje.

Eshtrat e gjetura, sipas ekspertëve të EULEX-it, ishin të vjetra rreth 60 vjet dhe mjaft të dëmtuara.

Dihet se Mulla Idriz Gjilani është mbytur me torturë, në burgun e Gjilanit.

Pas vdekjes, trupin ia djegin me benzinë, ndërsa eshtrat ia groposin në një vend të panjohur, por që gjithmonë është supozuar të jetë diku te kodra e quajtur Gllama.

“Dëshira ime jetësore është që me duart e mia t`i varros eshtrat e babait”, kishte thënë Isaja vite më parë.

Sulmi në Gjilan, më 23 dhjetor 1944, nga shtabi drejtues i Lëvizjes së rezistencës, u bë pa pëlqimin dhe bekimin e Mulla Idriz Gjilanit.

Ai thërriste ”O burra, aman dëgjoni se përsëritja e gabimeve është përgjegjësi historike. Ta kthejmë popullin nga kjo rrugë që ka për t’i kushtuar shtrenjtë”.

Pas sulmit në Gjilan, shokët e luftës, të besueshëm, e strehojnë Mulla Idrizin në fshatin Tugjec e pastaj te familja patriotike Sadiku në Gjyrishec.

Aty qëndroi pesë vjet, derisa nuk u zbulua dhe u burgos.

“Më 23 nëntor 1949, në derën tonë trokiti korrieri Zija Magjupi, i cili na tha se Mulla Idrizi është në UDB. Pas tri ditësh, më 26 nëntor, na thirrën në UDB. Shefi i UDB-së, Dragutin Popoviq doli në ballkon të ndërtesës së burgut dhe na tha se Mulla Idrizi e ka djegur veten”, kishte deklaruar Isaja për Mediafokus.info

Sipas historianëve, Mulla Idriz Gjilani ishte ideolog, udhëheqës, frymëzues, guximtar e sakrifikues.

Qysh atëherë, ai shkruante se Kosova është tokë e shenjtë, që e kemi trashëgim prej të parëve tanë.

Në çdo diskutim apo vend ku diskutohej për çështjen kombëtare, Mulla Idriz Gjilani jepte mesazhe të paqes e tolerancës: “Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyrë kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”.

Si njeri i penës dhe i pushkës, i fesë dhe atdheut, u qëndroi besnik idealeve të larta kombëtare.

Djali i tij i vetëm Isa, u përballë me shumë sfida gjatë jetës së tij, për shkak se prindi i tij kishte luftuar kundër shtetit./Mediafokus