Isa Mustafa akuzon për puç Sveçlën, i kërkon prokurorisë të nis hetime pasi kërcënoi Pacollin me arrestim

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa ka treguar sot arsyen se pse në takimin për ndarje të ministrive me Albin Kurtin, shefin e LVV’së, të parin dikaster e kishte zgjedhur MPB’në, shkruan Gazeta Express.

Mustafa ka shkruar në Facebook se kjo zgjidhje ishte si reflektim i frikës dhe dyshimit se LVV do të keqpërdorë këtë ministri.

“Zgjidhja ishte reflektim i frikës dhe dyshimit se VV do ta keqpërdorë këtë ministri për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do tu hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur VV ushtronte dhunë”, ka shkruar ai.

Mustafa thotë se ushtuesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshmë mbrëmë pa fije turpi dhe përgjegjësie ka kërcënuar për arrestimin e një deputeti e presidentin e vendit.

“Të nderuar qytetarë, këtë nuk do ta bënte për jetë të jetëve, z. Agim Veliu, i cili u shkarkua arbitrarisht nga z. Kurti sikurse asnjë ministër tjetër i LDK-së. Të kërcënojë një zëvendësministër në detyrë se do të arrestojë deputetin, që ka legjimitet të përfaqësimit të qytetarëve, është argument se ai është vënë mbi ligjin.

Deri më sot, qytetarët i ka arrestuar policia me kërkesë të prokurorit apo në flagrance, por jo me diktate politike të ministrave dhe zëvendësministrave, sepse si të tillë, ata janë të emëruar politik.

Policia drejtohet nga drejtori i policisë, dhe vepron sipas Ligjit për Policinë, nuk drejtohet nga ministri dhe zëvendësministri, qofshin në detyrë apo jashtë detyre”, tha Mustafa, teksa ka bërë thirrje që prokuroria të trajtojë këtë sjelljë të tij.

“Unë pres që prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, nëse jo të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti”, tha ai./mediafokus.info