Isa Mustafa flet kësaj radhe për edukatën e Vjosa Osmanit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk i komenton deklaratat e Vjosa Osmanit për të. Thotë se ato i lë të mbesin në edukatën e Osmanit.

Dje kryeparlamentarja Osmani e ka quajtur Mustafën “shërbëtor të bandave, mashtrues dhe humbës të shumfishtë, e nxitur nga një deklaratë e Mustafës për Express, që e fajësoi kandidaten për kryeministre për humbjen e zgjedhjeve.

Mustafa sot thotë se nuk i pëlqen të komentojë akuzat dhe ato që u konsideruan fyerje të Osmanit ndaj tij.

“Më vjen keq, por më duket e ulët të komentoj një gjuhë të tillë. Le të mbetet çështje e edukatës së saj.”, ka deklaruar Mustafa për Express.

Mustafa ka pyetur Osmanin se kë po e përfaqëson tani si kryeparlamentare, pas rënies së koalicionit të LDK’së me VV’në.

“Në vend të kësaj, Vjosa duhet ta qartësojë se kënd e përfaqëson si kryetare e Kuvendit, pas rënies së koalicionit LDK-VV. Çfarë legjitimiteti ka?”, ka thënë Mustafa.