Ish-deputeti Frashër Krasniqi dhe tjerët lirohen nga akuza për terrorizëm
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, lidhur me akuzën për terrorizëm.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të martën, nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi, akuzoheshin se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.
Sipas aktgjykimit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi lirohen nga aktakuza, pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.
Shpenzimet procedurale bien në barrë të gjykatës.
Tutje, gjykatësi Ismaili ka treguar në pika të shkurtra ecurinë e rastit, duke thënë se lidhur me këtë rast ky trup gjykues në rigjykim ka mbajtur 13 seanca, janë dëgjuar më shumë se 11 dëshmitarë, janë administruar provat materiale, të cilat janë propozuar nga Prokuroria Speciale dhe shtoi se as pas dëgjimit të deklaratave të dëshmitarëve nuk është arritur të provohet fajësia e të akuzuarve.
Këtë rast, fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetorit 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, e më pas përfundimisht këtë lëndë e gjykoi gjykatësi i Departamentit Special, Vesel Ismaili.