Ish-eprori i UÇK-së ftohet nga Gjykata Speciale
Edhe një ftesë nga Gjykata Speciale për ish-luftarët e UÇK-së. Kësaj radhe, prokurori special ka ftuar në cilësinë e të dyshuarit ish-eprorin e UÇK-së, Florim Kllokoqi nga Mareci i Prishtinës.
Ftesa për ish-pjesëtarin e Njësitit “Shigjeta”, ka ardhur para dy ditësh.
“Kam marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim si i dyshuar për krime lufte ndaj njerëzimit”, ka thënë Kllokoqi.
Kllokoqi, që pas Betejës së Pashtrikut ka shërbyer si komandant i njësisë në Artanë (Novobërë), ka konfirmuar ftesën, duke thënë se ndjehet krenar për të kaluarën e tij.
Ish-ushtaraku që jeton në Belgjikë me familje që nga viti 2000, ka thënë se do të bashkëpunojë me Hagën dhe është i bindur se në fund do të dalë i pafajshëm, shkruan Magazina.al.
Shteti belg menjëherë është angazhuar dhe është interesuar nëse shtetasit të tyre po i shkelen të drejtat e njeriut.
Kllokoqi ka jetuar në përendim dhe është kthyer gjatë luftës në Kosovë. Përmes Betejës së Pashtrikut, me njësitin “Shigjeta” është futur në Kosovë dhe ka qëndruar deri në çlirimin e vendit.
Në vitin 2000 Kllokoqi është kthyer sërish për të jetuar në Belgjikë.