Ish-këshilltari i Kurtit citon Adem Grabovcin: Krejt Kosova janë nip e dajë

Shkëlzen Gashi, ish-këshilltari i kryeministrit në Qeverinë Kurti I, ka cituar sot ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK’së dhe protagonistin e aferës “Pronto”, Adem Grabovcin, pas raportimeve se nipi i zv.kryeministrit Besnik Bislimi është propozuar nga Qeveria Kurti II për anëtarë të KSHSC-së, institucion ky që mbikqyr Agjencinë e Akreditimit të Kosovës.

“siç pat thënë i madhi adem grabovci ”krejt kosova janë nip e dajë”, ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në ‘facebook’.

Sot gazeta Insajderi ka raportuar se një familjar i Besnik Bisilimit pritet ta monitorojë punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Bëhet fjalë për Gëzim Tosunin, nipin e Besnik Bisilimit, që është propozuar për anëtar të KShC-së nga qeveria, në të cilën daja i tij ushtron pozitën e dytë më të rëndësishme.