Ismajli: Bezi dhe Shuka i dhanë dimension të veçantë sportit në Kosovë
Në kujtim e nderim të dy drejtuesve dhe donatorëve të mëdhenj të sportit, Selami Osmani – Bezi e Shukri Sylejmani – Shuka, sot në Gjilan u zhvillua ndeshja ndërmjet Veteranëve të futbollit dhe Veteranëve të Gjilanit e Dritës, të cilën e ndoqi edhe nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli.
“Bashkë me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, morëm pjesë në ndeshjen futbollistike përkujtimore ndërmjet Reprezentacionit të Veteranëve të futbollit dhe Veteranëve të Gjilanit dhe Dritës, e cila u zhvillua sot në Gjilan për nder dy kolosëve e donatorëve më të mëdhenj që ka pasur Kosova, Selami Osmani – Bezi e Shukri Sylejmani – Shuka.
Bezi dhe Shuka janë të papërsëritshëm dhe jemi me shumë fat që ishin pjesë e qytetit tonë. Ata dhanë kontribut të jashtëzakonshëm duke e mbajtur gjallë me vite të tëra jetën sportive dhe kulturore në qytetin tonë.
Ata i dhanë dimension të veçantë skuadrave të tyre, duke bërë jehonë dhe eufori për të gjithë futbolldashësit.
Bezi dhe Shuka do të jenë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona. Krenarë dhe të lumtur që jetuam në epokat e ndritshme të tyre!
Madhështia e kësaj ndeshje ishte edhe nostalgjia për shkëlqimin në fushën e gjelbër të strategut të futbollit dhe mjeshtrit të madh i cili na bëri krenarë me epokat e arta të tij, Muharrem Sahiti.
Këto figura eminente bartin epitetin e ambasadorëve më të mëdhenj të Republikës sonë”, ka shkruar Ismajli.

