Ismajli pret Hajdinagajn e Ulqinit, bisedojnë për javën e turizmit
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka pritur sot ish-kryetarin e Ulqinit, tani drejtor i turizmit atje, Gëzim Hajdinagaj, me të cilin kanë bashkëbiseduar për javën e turizmit, mundësinë e zhvillimit ekonomik lokal dhe ofertat për turistët, në përgjithësi.
Ismajli ka thënë se viti 2020 shënoi një bllokadë dhe ngecje të jashtëzakonshme në sektorin privat, ndërsa ky vit jep shpresë për një sezonë në hapje në kuadër të masave të paralajmëruara shtetrore për mbrojtje nga Covid-19, por pa izolime.
“Kosova dhe gjithë bota vitin e kaluar kishte një bllokadë të jashtëzakonshme dhe historike për shkak të pandemisë globale Covid-19. Në këtë aspekt janë shkaktuar edhe humbje të mëdha në sektorin privat dhe në këtë rast edhe në aspektin e turizmit. Ky vit ka shpresa për një gjendje krejtë tjetër dhe në këtë drejtim është konfirmuar se Mali i Zi ka ndërmarr hapa të shumtë për parandalim të pandemisë dhe njëkohësisht hapjen e vendit për turistët. U dakorduam bashkërisht se Gjilani dhe Ulqini janë komuna që shquhen për mikëpritje. Kosovarëve nuk do t’u kërkohet testi kundër virusit, ndërkohë që po punohet fuqimisht nga dy qeveritë për heqjen e sigurimeve të veturave”, tha mes tjerash nënkryetari Ismajli.
Ai ka potencuar se dy komunat njihen për cilësi në shërbime në gastronimi si dhe avancim në sektorin e turizmit.
Ndërsa, drejtori i Turizmit në Ulqin, Gëzim Hajdinagaj ka njoftuar mbi të gjitha përgatitjet që ka bërë komuna e Ulqinit për turistët dhe përparësitë që ofron ky qytet bregdetar këtë sezonë.
Hajdinagaj tha se Gjilani dhe Ulqini kanë gjëra të përbashkëta: njihen për solidaritetin, për shërbimet e mrekullueshme në gastronomi, për ambientin e pastër e deri të siguria publike dhe mikëpritja.
‘Ulqini në bazë të planifikimeve do të jetë i hapur për turistët nga 1 maji dhe do të ofrojë të gjitha kushtet për një qëndrim të rehatshëm dhe ne ju mirëpresim me shumë kënaqësi’, ka thënë Hajdinagaj.

