Rami Veliu tërë jetën ia kushtoi shëndetësisë

Rami Veliu, i cili ndërroi jetë sot, tërë jetën e tij ia kushtoi shëndetësisë. Për këtë kontribut, para disa muajve ai ishte nderuar me Mirënjohje nga Komuna e Gjilanit.

Atë e kishin vizituar në shtëpinë e tij, Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, së bashku me drejtorët Selami Xhemajli (DSHMS) dhe Fejzulla Berisha (QKMF), për t`i dorëzuar mirënjohjen dhe për ta falënderuar për kontributin që ka dhënë në sektorin e shëndetësisë, deri në pensionim.

“Komuna e Gjilanit është duke shprehur respekt dhe konsideratë të vazhdueshme për njerëzit që kanë kontribuar me angazhimin e tyre që të jetë në qendër të vëmendjes vetëm zhvillimi dhe prosperimi i vendit.

Jam shumë i nderuar që në emer të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, të ndajë këtë mirënjohje për Rami Veliun, për kontributin e pazëvendësuar në fushën e shëndetësisë.

Njerëzit si baca Rami Veliu meritojnë respektin dhe mirënjohjen tonë. Ne, përgjithmonë do të jemi krenarë me punën e tyre”, kishte thënë Ismajli. /Mediafokus/