Ismajli: Vërshimet shkaktuan dëme të konsiderueshme në Gjilan

Shtabi për menaxhimin e emergjencave të Komunës së Gjilanit, i aktivizuar nga kryetari, Lutfi Haziri, pas reshjeve të mëdha të shiut, ka mbajtur takim të përbashkët, nën udhëheqjen e nënkryetarit, Arbër Ismajli.

Nënkryetari Ismajli, në konferencën për media, ka thënë se Komuna është në gatishmëri të plotë 24 orë, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve që janë prekur pas reshjeve të mëdha.

Ismajli ka njoftuar se nga të dhënat nga terreni, janë dëmtuar katër ura, dhjetëra shtëpi private, derisa dëmet më të mëdha janë në sektorin e bujqësisë.

Ai bëri të ditur se 20 familje që jetojnë afër lumit kanë mbetur pa qasje në rrugë në Pogragjë dhe Sllubicë, duke shtuar se po bëhet përpjekje maksimale për t’iu krijuar qasje nga ekipet e Komunës së Gjilanit.

Nënkryetari i Gjilanit theksoi se në infrastrukturën publike do të fillojë sanimi nga nesër përmes operatorëve të kontraktuar, derisa konfirmoi se është formuar Komisioni për vlerësimin e dëmeve në ekonomitë familje dhe në bujqësisë, ku së shpejti do të dilet me raport preliminar.

Numri dy i Komunës së Gjilanit tha në fund se në këtë rast është e domosdoshme ndërhyrja e Qeverisë së Kosovës, për të krijuar fond emergjent për kompensimin e dëmeve.

Ndryshe, Shtabi për menaxhimin e emergjencave në Gjilan, përpos resorëve të Komunës, ka të inkorporuar edhe Policinë e Kosovës, FSK’në, Njësinë e Zjarrfikësve e Qendrën 112.