Iu deshën 196 ditë betejë për ta mundur virusin

Një grua 67-vjeçare në Michigan u kthye në shtëpi këtë javë pas 196 ditësh në spital, pasi ishte infektuar me Covid-19. Kjo është një nga periudhat më të gjata që një pacient ka qëndruar në spital gjatë pandemisë.

“Kjo gjë ndryshoi gjithë jetën time,”- tha Deanna Hair për NBC News.

“I gjithë procesi nga momenti i infektimit, qëndrimi në spital, të qenit në ventilator dhe rikuperimi, dukej sikur po më shteronte fuqitë.”

Deanna dhe bashkëshorti i saj, Ken Hair, nga Ann Arbor-i, raportuan simptoma pasi u kthyen nga Kalifornia në mes të marsit. Të dy dolën pozitiv, por ndërsa bashkëshorti i saj pati simptoma të lehta, Deanna kishte temperaturë, kollë dhe të vjella.

Pas shtrimit në spital, Deanna u diagnostikua edhe me një problem në zorrën e trashë. Sipas doktorëve në spitalin ‘Michigan Medicine’, në momentin kur pas infektimit me Covid-19 keni simptoma të rënda mund t’ju zhvillohen mpiksje të mëdha gjaku. Deanna gjithashtu vuajti nga infeksione të shumta në kraharor dhe pati mjaft probleme me veshkat.

“Menduam se do të vdiste. Jemi thirrur tre herë nga spitali për ti dhënë lamtumirën e fundit, çdo herë duke besuar se ishte e fundit, por me shumë mundim ajo ja doli.”- thotë djali i saj.

Në shtator ajo filloi rehabilitimin. Gjatë gjithë kësaj kohe e shtrirë në shtrat, Deanna humbi fuqinë e muskujve dhe kishte vështirësi për të bërë dhe lëvizjet themelore të njeriut. Pas 196 ditësh ajo mundi të dilte nga spitali me karrocë me rrota.

Gjithashtu Deanna, si njeriu që ka qëndruar kohën më të gjatë në spital pas infektimit me Covid-19, tha një mesazh për gjithë njerëzit nëpërmjet NBC News, përcjellë tetovasot:

“Ishte shumë e vështirë, por ajo që më mbajti gjallë ishte mbështetja e familjes. Covid-19 është një virus vdekjeprurës. Mos i shmangni masat paraprake. Vishni maskën, lani duart dhe mbani distancë shoqërore. Kujdesuni për veten dhe për ata që doni”, porosit ajo.