Izet Kallaba hap debat e dilema rreth manifestimit “Flaka e Janarit”. Kush e nisi…

Izet Kallaba

Nismën për themelimin e manifestimit multikulturor që më vonë merr emërtimin ,,Flaka e Janarit“ , e kishte propozuar Forumi Rinor i LDK-së, me kryetar Lutfi Haziri, të mbështetur nga aktivistë të tjerë si Ahmet Isufi, Sabit Rrustemi, Izet Kallaba, Hasan Bunjaku, Mehmetali Arifi, Lirie Abdurrahmani-Kajtazi, Nazim Gagica, Avdi Latifi dhe shumë aktivistë nga Forumi Rinor i LDK-së.

Aktiviteti filloi më 17 janar 1991, datë që kooincidon me historikun e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, por e lidhur me shumë martirizime si rasti i vllëzërve Gërvalla e Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha e shumë të tjerë.

Biseda ishte zhvilluar në sallën e arsimtarëve të shkollës së muzikës – Gjilan, që vite me radhë shërbeu për shumë aktivite kulturore.

Pak vite më vonë u formua ,,Shoqata kulturore e pavarur“ me kryetar Isa Jakupi e më pastaj ,,Këshilli për Kulturë Rini e Sport” e formuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që kishte përzgjedhur kryetar: Hasan Bunjakun, sekretar Sabit Rrustemin, përgjegjësin për kulturë Izet Kallaba, kurse nga Forumi Rinor, Lirie Abdurrahmani -Kajtazi.

Në mungesë lokali, aktivitetet kulturore rëndom i mbanim në lokalet e shkollës së muzikës, sikur edhe në shkollat fillore ,,Selami Hallaqi” dhe ,,Abaz Ajeti” – Gjilan.

Meqë kërkesat kulturore ishin të mëdha, aktivitetin e zgjeronim edhe në fshatra, si në Bresalc, Përlepnicë, Zhegër, Llashticë e gjetiu.

Manifestimi ,,Flaka e Janarit“ përbëhej nga katër shtylla kulturore: Arti pamor, Arti skenik, Arti letrar dhe Arti muzikor.

Manifestimi i kushtohej martirëve kombëtarë duke filluar nga Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, vllëzërve Gërvalla me Kadri Zekën, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, duke mos anashkaluar martirët e kombit.

Në kuadër të këshillit për kulturë rini e sport zhvilloheshin aktivitete të sistemuara në seksione:

1. Seksionin pamor e përbënin: Avni Xh Behluli, Luan Shahiqi, Rasim Vllasaliu, Qamil Llapashtica me shumë aktivistë të palodhshëm që i kam harruar emrat.

2. Seksioni Muzikor: Izet Kallaba, Isa Jakupi, Xhevat Ismaili, Zekë Jusufi, Mehmetali Arifi, Avdi Latifi dhe një lumë aktivistësh nga Shkolla e Muzikës – Gjilan dhe gjetiu.

3. Seksioni letrar e përbënin: Sabit Rrustemi, Hasan Bunjaku, Haxhi Vokshi, Nuhi Ismalji e shumë të tjerë.

4. Seksionin dramatik e përbënin personalitete nga Teatri i qytetit si Jahi Jahiu, Heset Zymberi, Ramadan Kurti, Shemsi Syla me shokët nga Bresalci, Muharrem Sylejmani, Sabedin Shahiqi, Avni Shkodra dhe shumë aktivistë që emrat i kam harruar dhe për këtë kërkoj ndjesë.

Qëllimi i manifestimit ishte që përmes vlerave kulturore të përkujtojmë Heronjtë Kombëtar që nga periudha e Skenderbeut deri më sot.

Pra ,,Flaka e Janarit” edhe pse organizohet në dimër me acar, ajo përmban ngrohtësi të paparë në përkujtimin e martirëve krejt kjo përmes vlerave të mirëfillta artistike.

Vlen të cekët se numri i aktivistëve që kanë dhënë kontribut për manifestimin ,,Flaka e Janarit” ishte shumë voluminoz dhe më këtë rast kërkoj falje që tash për tash i kam harruar emrat meqë për tetë vite gjendem jashtë Atdheut.

Unë të gjithë ata që kontribuan në aktivitetet kulturore në kohë okupimit e në liri i faleminderoj nga zemra, sidomos gjenerata të njëpasnjëshme nxënësish të shkollës së muzikë në Gjilan.

Ky shkrim nuk është i detajizuar pasi që shënimet më të detajuara besoj i ka ruajtur Këshilli për Kulturë Rini e Sport, me kryetar Hasan Bunjaku.

Shënimet që unë i kisha ruajtur, më janë asgjësuar në periudhën e bombardimeve, kur njësiti policor dhe ushtarak e kanë demoluar banesën time duke plaçkitur gjësende që kisha, shënime dhe kompozime muzikore që nuk kam mundur t’i rikthej në krijimtarinë time.

Gjatë bombardimeve të NATO-s isha larguar nga Gjilani për të shkuar në Roganë sipas propozimit të përfaqësueses së OSB-së z. Frederika Buzoni, një dashamirëse e kulturës të cilën e kisha antarësuar në korin e shkollës së muzikës.

Faleminderim i veçantë shkon për kryetarin – përgjegjësin për Kulturë Rini e Sport për Kosovë, Prof. Latif Berisha (tashmë i ndjerë) i cili admironte punën që bënim në në Gjilan kurse ai na ofronte ndihma morale e materiale si dhe një program të detajuar për zhvillimin e kulturës në nivel Kosove.

Qershor 2022 (NjuJork)