Ja kur hiqet taksa kufitare në Malin e Zi

Ulqini njofton se ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Përfaqësuesit e kësaj komune sot në Prishtinë kanë shpalosur lehtësirat dhe investime në bregdetin e Ulqinit, derisa kanë paralajmëruar edhe një marrëveshje në mes të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Byrosë së Malit të Zi për largimin e taksës kufitare nga mesi i qershorit.

Kryetari i Ulqinit, Aleksandër Daboviq tha se tashmë situata e pandemisë COVID-19 në këtë komunë ka bërë që e gjithë vëmendja të fokusohet te sezoni turistik.

Daboviq derisa listoi investimet që kanë bërë si pushtet komunal për të përmirësuar kushtet për turistët, kërkoi që çmimet të jenë sa më të përshtatshme për të gjithë.

“Komuna e Ulqinit ka ditë që është e fokusuar rreth përgatitjeve për sezonin turistik. Si komunë kemi synuar dhe synojmë që qyteti të ketë një imazh të përmirësuar, ndërsa subjektet private duke investuar në pamjet e objekteve të tyre, gjelbërimin e mjediseve reklamimin e bizneseve. Të goditur nga pandemia dhe pasojat e të cilës po i përjetojmë, ne kemi ndërmarrë disa hapa veçmas në infrastrukturë në vendet e parkingut, sinjalizimit, asfaltimit, ndriçimit publik dhe fushat tjera. Këtë vit me kohë kemi reaguar që pika kufitare të jetë më transparente të shmangen radhët dhe pritjet. Ne insistojmë dhe kërkojmë mirëkuptim nga pushuesit në plazhe, pronarët e hoteleve, restorantet dhe qiradhënësit dhe të tjerët që këtë vit çmimet të jenë sa më të përshtatshme për të gjithë”, tha ai.