Ja kush e ka rikujtuar sot plakun e plisit dhe të flamurit
Bajram Ymeri (Axha Balë) ka qenë person i veçantë në Gjilan e Kosovë, i cili manifestoi kundër dhunës dhe diskriminimit serb gjithandej ku mbaheshin tubime e protesta, pavarësisht moshës që kishte dhe rrezikut që e priste.
Me plisin e bardhë në kokë, dhe flamur në dorë, axha Bajram ishte gjithmonë mes studentëve, mes rinisë shkollore, mes burrave e grave, në manifestime të ndryshme, në gëzime e varrime, kudo.
Dëshironte të ndante gjithçka me popullin e vetë, të mirat dhe të këqijat.
Atë e ka rikujtuar sot Shefik Surdulli, këshilltar komunal, duke publikuar edhe një foto nga pjesëmarrja e tij në një protestë kundër mbylljes së shkollave në gjuhën shqipe.
‘Si të mos e kujtoj këtë njeri të mirë, të urtë e atdhedashës, si rrallë ndonjë tjetër!
Kudo në tubime, në protesta, Mixhën Balë, e kemi patur pranë me Flamur, madje edhe në ballë!
“Krejt bashkë-bashkë…”, – e persëriste vazhdimisht.
Ndarjet, përçarjet mes nesh, e kanë mërzitë shumë.
Nderime dhe respekt për kontributin e punën e tij të palodhshme e të pandalshme me aq dashuri për Kosovën, për lirinë e saj, për ditë më të mira për të gjithë ne!
I paharruar qoftë Mixha Balë!’, ka shkruar Surdulli.
Axha Balë iku para afër 18 vitesh, i përmbushur në ëndrrën e tij që ta shihte lirinë e Kosovës./Mediafokus.info