Ja kush thotë koalicionin LDK-AKR e bashkon anëtarësia e Ibrahim Rugovës

Në prag të zgjedhjeve nacionale në Kosovë, kanë filluar edhe diskutimet për koalicionet e mundshme. Një i tillë që po përmendet shumë është ai ndërmjet LDK e AKR. 

Ish-deputetja Myzejene Selmani thotë se koalicionin LDK-AKR e bashkon anëtarësia e Ibrahim Rugovës dhe është koalicioni më i natyrshëm i mundshëm për faktin se këto dy subjekte kanë shumë gjera të përbashkëta.

“Shumë shpejt, Kosova do të ketë koalicionin parazgjedhor LDK-AKR, që unë e konsideroj partneritetin më të natyrshëm politik në vend.

Koalicioni LDK-AKR është ekipi më i sigurt për t`ia besuar të ardhmen e vendit, i cili ka nevojë për të dëshmuar pjekuri politike dhe prosperitet ekonomik”, ka thënë Selmani nga AKR-ja.

“Kush më mirë se Behgjet Pacolli e Isa Mustafa i gërsheton këto dy vlera, të cilat i duhen sot Kosovës, në udhëkryqin e madh politik ku ka arritur. AKR dhe LDK janë parti të djathta dhe elektorati i tyre buron po nga LDK-ja e Presidentit Ibrahim Rugova, gjë që e bënë më të lehtë qeverisjen e ardhshme. Një qeverisje nga këta dy partnerë do t`i sigurojë Kosovës atë që meriton, si në planin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm”, shprehet ish-deputetja Selmani.