Ja pse shqiptarët janë skeptikë për vaksinën e COVID-19

Të premten më 1 janar, kryeministri Edi Rama njoftoi arritjen e një marrëveshjeje me kompaninë farmaceutike Pfizer për blerjen e 500 mijë vaksinave kundër COVID-19.

“Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer,” tha Rama. “Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, por padyshim vaksina është e këshillueshme për të gjithë,” shtoi kryeministri.

Rama theksoi se 10,750 dozat e para të vaksinës do të mbërrijnë në Shqipëri brenda janarit dhe vaksinimi do të nisë në fillim me bluzat e bardha, pastaj mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe moshat madhore mbi 75 vjeç.

Edhe pse është paqartë se kur do të mbërrijnë mjaftueshëm vaksina për të realizuar një mbulim të gjerë të popullatës, një pjesë e shqiptarëve mbeten skeptikë mbi efektet e vaksinës kundër COVID-19, të ndikuar nga teoritë konspirative që qarkullojnë rreth saj.

Vaksina e kompanisë Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim nga Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Europian, ndërsa së fundmi u miratua edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Të hënën, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, inspektuan Qendrën e Parë të Vaksinimit anti-COVID në Stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë, ku është parashikuar të nisë vaksinimi gjatë javës së tretë të muajit të parë të vitit.

Manastirliu theksoi se janë marrë masat për të gjithë elementët e sigurisë.

“Do të kemi skuadrat e vaksinatorëve, të mjekëve si dhe të koordinatorëve që do të lehtësojnë këtë proces,” tha ajo.

“Do të kemi ekipet e urgjencës për çdo eventualitet, të cilët do të vendosen në postacione të përcaktuara, qoftë jashtë “Arenës”, qoftë në ambientet e vetë stadiumit,” shtoi ministrja e Shëndetësisë.

Sipas saj, vaksinimet e para do të kryhen sipas planit të vaksinimit të grupeve të riskut. Në moshën 65 vjeçare, Makbule Hoxha, e cila e përshkruan veten si një qytetare autoktone e Tiranës, është brenda grupeve të riskut të COVID-19.

“Unë mendoj më mirë ta bëj vaksinën,” tha Makbulja për BIRN. “Nisem me hamendësimin se jetëgjatësia e njerëzve ndër vite, që prej kohës së komunizmit e deri sot, është rritur pikërisht prej ilaçeve dhe vaksinave,” shtoi ajo, duke arsyetuar me zë të lartë mendimin e saj, ndërsa shtoi se ‘besoj se dhe kësaj radhe kjo vaksinë do na ndihmojë.”, transmeton reporteri.al.

Megjithëse ka vendosur ta bëjë vaksinën e COVID-19 nëse ajo do t’i ofrohet nga qeveria, Makbulja nuk e fsheh frikën nga efektet anësore që inokulimi mund të ketë, e amplifikuar dhe nga lajmet që ka dëgjuar se disa persona që kanë bërë vaksinën, kanë vdekur.