Janjiq ia tregon Borellit një detaj për Asociacionin që ai s’e di
Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, roli i BE-së është mbështetës dhe lehtësues, por assesi imponues apo i një arbitri.
Sipas tij, që nga viti 2014, kur ndërmjetësuesi i parë BE-së në këtë dialog, Robert Cooper nuk e kishte më këtë rol, BE-ja e kishte shuar edhe Zyrën për zbatim të marrëveshjeve.
Insistimin e Borrellit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Janjiq e sheh si përzierje në diçka që nuk i takon shefit të diplomacisë evropiane.
Madje Janjiq ka zbuluar edhe një detaj rreth Asociacionit, duke thënë se Borell me siguri nuk e di që një grup punues i përbërë nga katër përfaqësues të katër komunave me shumicë serbe duhet të hartojë statutin e Asocaicionit dhe se një statut i tillë nuk i është dorëzuar asnjëherë BE-së.
“Nuk është puna e tij që të vlerësojë se a është kërkesa e Beogradit e drejtë. Ai me siguri që nuk e di që grupi punues që duhet ta hartojë statutin (e Asociacionit), i cili grup përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe, kurrë nuk ia ka dorëzuar atë statut BE-së.
Ky është një arsyetim i mirë për palën e Kosovës.
Pra, ai (Borrell) është jokompetent për atë çështje, dhe në rregull, sepse nuk duhet të dijë gjithçka.
Por, problemi është që ai që para tij e udhëheq dialogun (i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak) nuk e ‘ndriçon’ udhëheqësin e tij. Problemi i tyre është se ata nuk kanë pasqyrat e vërteta dhe as që iu intereson zhvillimi i dialogut”, thotë Janjiq.

